Ekspertët: Rebalanci sjell buxhetin më afër realitetit
Rebalanci i buxhetit, të cilin dje e miratoi Kuvendi, është më afër zhvillimeve dhe parametrave ekonomike të vendit, se sa ai paraprak që ishte hartuar në rrethana joreale. Kështu vlerëson profesori universitar, Bilall Kasami.....

Sipas tij, parashikimet e hartuesve të politikave makroekonomike të vendit për buxhetin e vitit 2014, nuk kanë qenë të sakta.
“Ky rebalanc i buxhetit në fakt i tregon dy gjëra, pikësëpari projeksionet fillestare kur është përgatitur buxheti 2014 nuk kanë qenë reale, ose vlerësimet e hartuesve të politikave makroekonomike nuk kanë qenë të sakta. Ky rebalanc në fakt është më afër realitetit të zhvillimeve ekonomike në Maqedoni se sa ai paraprak, më afër parametrave makroekonomike që janë në Maqedoni. Duke u nisur nga projeksioni i rritjes ekonomike të BPV-së, duke u nisur nga projeksioni i të ardhurave buxhetore dhe shpenzimeve, pastaj duke pasur parasysh se jemi nga fundi i vitit kalendarik, realiteti është ky, pra ai që është dashur projektuar në buxhetin e vitit 2014”- deklaroi profesori universitar, Bilall Kasami.
Bilalli thotë se të gjithë aktorët politik duhet të angazhohen për distribuim të drejtë të buxhetit, me qëllim që të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, nga i cili do të përfitojë edhe vetë buxheti.
“Një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe një zhvillim më intensiv ekonomik do të jetë në interes të Shtetit dhe para së gjithash në interes edhe të buxhetit, sepse ne të gjithë e dimë se buxheti tubohet nga sektori real dhe nëse do të kishte një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit real, pastaj nuk do të kishte problem edhe Qeveria për tubimin e të ardhurave buxhetore”- theksoi Kasami.
Bilalli gjithashtu sugjeron që të rritet buxheti për zhvillim rajonal, sepse vetëm në atë mënyrë mund të sigurohet rritje e vazhdueshme ekonomike dhe projeksione reale. (Naim Ramadani, TVM2)
