MIQËSORET

Miqësoret: Festojnë Italia dhe Franca, Ibra golashënuesi më i mirë suedez

05.09.2014 16:36

Debutim pozitiv për Antonio Conten si trajner i kombëtares së Italisë. Përballë 50 mijë spektatorëve në “San Nicola” të Barit, Italia mundi 2-0 Holandën në një ndeshje miqësore falë dy golave të shënuar nga Immobile dhe De Rossi........

Italianët e nisën vrullshëm takimin duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e tretë me anë të sulmuesit të Dortmund, Ciro Immobile.

Vetëm 7 minuta më vonë të kaltrit fituan një 11-metërsh, pas një ndërhyrje të gabuar të Martins Indi, i cili u ndëshkua me karton të kuq nga kryesori i takimit, ndërsa Daniele De Rossi u tregua i saktë nga pika e bardhe, duke dyfishuar shifrat, për avantazh prej 2-0, rezultat me të cilin edhe u mbyll sfida.

Gjatë natës së shkuar u luajt edhe një tjetër miqësore e madhe, ajo mes Francës dhe Spanjës. ‘Gjelat’ e  Didier Deschamps arritën një fitore minimale ndaj një Spanje në tranzicion. I ardhur nga bankina, Loic Remy u bë protagonisti kryesor i këtij takimi, pasi ishte autor i golit vetëm të shënuar në minutën e 73 të takimit.

Zlatan Ibrahimovic është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me kombëtaren e Suedisë, pasi gjigandi i PSG ishte autori i të dy golave në fitoren 2-0 për vendasit në ndeshjen miqësore ndaj Estonisë. Sulmuesi 32-vjeçar debutoi me kombëtaren e Suedisë në vitin 2001, në ndeshjen eliminatore për kupën e botës ndaj Azerbajxhanit, ku ishte autor edhe i një goli në fitoren 3-0.

Deri tani, Ibra ka luajtur në 99 ndeshje me kombëtaren dhe ka shënuar plot 50 gola. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Sven Rydel me 49 gola që prej vitit 1932.