Botë

Tërmet në Kinë, 12 të vdekur 130 të lënduar

18.06.2019 11:28

12 njerëz të vdekur dhe mbi 130 të lënduar është bilanci i viktimave...

12 njerëz të vdekur dhe mbi 130 të lënduar është bilanci i viktimave nga dy dridhje të fuqishme të njëpasnjëshme të tokës të cilat goditën jugperëndimin e Kinës gjatë natës.

Termeti i parë me magnitudë prej 6.0 shkallëve i cili goditi qytetin Yibin në provincën Sihuan, fuqia e të cilit u ndje në të gjitha qytetet e rajonit të tij, u pasua vetëm pas 30 minutave me një dridhje tjetër të fuqishme e cila shënoi 5.2 ballë, të dyja me thellësi prej 10 km nën tokë dhe të përqëndruara në afërsi të Çangingut, raportuan nga qendra amerikane për studime gjeologjike.

Nuk ndaluan edhe dridhjet me magnitude të fuqishme, por më të vogla nga të parat, të cilat pasuan gjatë natës, gjë që rezultoi në numrin në rritje të viktimave dhe rrënimin e shumë banesave e shtëpive në këtë rajon.

Mbi 4,000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e dëmtuara, disa u nxorrën edhe nga rrënojat të cilët vazhdojnë të trajtohen nga lëndimet dhe gjendja traumatike.

Më shumë se 10 mijë banesa janë dëmtuar, 12 ndërtesa janë rrëzuar tërësisht thonë autoritetet në Yibin.

Shumica nga qytetarët gjatë natës qëndronin me dyer dhe dritare të hapura për ikje eventuale. Ekipet e shpëtimit së bashku me policinë dhe më shumë se 500 zjarrfikës u aktivizuan për të shpëtuar njerëzit.

Kryqi i Kuq dhe vullnetarët kanë dalë në terren duke shpërndarë ushqim dhe ujë, derisa personeli i shpëtimit vendosi tendat dhe i furnizoi njerëzit me mbulesa dhe gjësende të nevojshme për qëndrim në ambient të hapur.

Në Gong raportohet të jenë dëmtuar 4 mijë shtëpi.

Nga tërmeti dhe dridhjet që pasuan u thyen dritare, u çanë mure, u shembën çati si dhe u dëmtua edhe rrjeti elektrik. Në provincën Sihuan ka shpesh tërmete. Më i tmerrshmi ishte ai i vitit 2008, prej 7.9 ballësh që la  87,000 njerëz të vdekur ose të zhdukur. (Leunora Kaliqi, TVM2)