Maqedoni

Negociatat, sot vetëm deklaratë, vendimi në vjeshtë

18.06.2019 12:29

Në mbledhjen e sotme të ministrave për Punët e Jashtme dhe të Evropës....

Në mbledhjen e sotme të ministrave për Punët e Jashtme dhe të Evropës, të vendeve anëtare të BE-së nuk duket se do të merret ndonjë vendim përfundimtar për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut apo Shqipërinë, por do të lëshohet një deklaratë apo vendim paraprak që do të tregojë rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën.
 
Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezerva, por një ndër arsyet e mosmarrjes së vendimit është edhe mungesa e vendimit të Bundestagut gjerman. Ministri gjerman i shtetit për Evropën Michael Roth, para takimit tha se para një viti dy vendeve u janë dhënë detyrat e shtëpisë dhe ata i kanë përmbushur.
 
“Veç kësaj Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë një konflikt 30 vjeçar me Marrëveshjen e Prespës. Dhe kjo është e pashembullt dhe duhet shpërblyer”, ka shtuar ai, duke potecuar gjithsesi se për arsye kohe Gjermania do ta marrë vendimin në shtator ose tetor.
 
Ministri austriak për Evropën, Alexander Schalenberg tha, se do të ishte një sinjal shumë i keq, nëse do t’u kthehej shpina këtyre dy vendeve. Nuk ka rëndësi data e çeljes së negociatave, rëndësi ka që të ndodhë sa më shpejt dhe sot të arrijmë një vendim paraprak. Komentet e ministrit austriak i ka mbështetur edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Italisë, Enzo Moavero, i cili tha se do të merret një vendim paraprak mbi bazën e asaj që është arritur deri tani dhe do të pritet vendimi i Buddestagut pas përfundimit të verës.
 
George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë të takimit pasi Rumania mban presidencën e radhës në BE sqaroi, se deklarata rreth raporteve të progresit do të jetë: “E angazhuar, konstruktive dhe do të përmbajë balancën dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Evropën”.