Egjipt, varroset ish presidenti Muhamed Morsi

18.06.2019 19:28

Presidenti i përmbysur i Egjiptit, Muhammad Morsi, u varros në Kajro....

Presidenti i përmbysur i Egjiptit, Muhammad Morsi, u varros në Kajro, një ditë pasi vdiq në një dhomë gjyqi, siç u njoftua, nga sulmi në zemër.

Familja e Morsit mori pjesë në funeralin e xhamisë së burgut Tora. Ai më pas u varros në qarkun Nasr të Kajros.

Djali i Morsit, Ahmed, tha në një postim në “Facebook” se agjencitë e sigurisë nuk kanë lejuar që Morsi të varroset në varrezën familjare, në vendlindjen e tij në provincën Sharkia.

Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” kërkoi hetime "të paanshme, të plota dhe transparente" të rrethanave të vdekjes së Morsit.

Ai ka qenë figurë e lartë në lëvizjen islamiste “Vëllazëria Myslimane”, e cila tani është e ndaluar në Egjipt.

Atë e ka përmbysur nga pushteti ushtria e Egjiptit në vitin 2013, pas protestave masive kundër tij, të cilat kanë shpërthyer një vit pasi Morsi ka marrë detyrën si lideri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Që atëherë, Morsi ka qenë në paraburgim. Pas largimit nga pushteti, autoritetet egjiptiane kanë nisur përndjekjen e mbështetësve të tij dhe të “Vëllazërisë Myslimane”.