MAQEDONI-KOSOVË

Jashari-Kuçi: Shumë shpejt kufiri Kosovë-Maqedoni me letërnjoftime

05.09.2014 17:37

Qytetarët e Maqedonisë dhe Kosovës, shumë shpejt do të qarkullojnë me letërnjoftime........

Ngecja e deritanishme nuk është rezultat i mungesës së vullnetit politik, por thjesht bëhet fjalë për çështje teknike. Të dy vendet po angazhohen që të heqin barrierat e qarkullimit për njerëzit dhe mallrat, deklaruan pas një takimi në Prishtinë ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Adnan Jashari dhe nikoqiri kosovar, Hajredin Kuçi.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në këtë drejtim ka ndërmarrë të gjitha hapat dhe unë shpresoj ashtu siç edhe me Republikën e Shqipërisë edhe me Republikën e Kosovës do të vijë në shprehje realizimi praktik i këtij projekti, që besoj se është shumë e rëndësishme për shtetasit e të dy shteteve, në veçanti për shqiptarët”- deklaroi ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Adnan Jashari.

“Ne kemi gatishmëri si Qeveri e Republikës së Kosovës, që ta lehtësojmë qarkullimin në mes të dy vendeve tona. Natyrisht që Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme që ta bëjë një veprim të tillë, besoj që ministrat tanë të Jashtëm do t’i koordinojnë këto aktivitete”- theksoi ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Në drejtim të qarkullimit të lirë dhe mënjanimit të pengesave, dy ministrat paralajmëruan nënshkrimin e një marrëveshjeje tjetër bashkëpunimi në sferën civile.

“Biseduam për çështjet që kanë të bëjnë me intensifikimin apo vazhdimin e marrëveshjeve, apo ratifikimin e marrëveshjeve midis dy shteteve. Midis Maqedonisë dhe Kosovës aktualisht ekzistojnë tre marrëveshje ndërkombëtare, bilaterale. Në fazë e sipër është edhe një marrëveshje tjetër, bashkëpunimi juridik në sferën civile, respektivisht sferës së të drejtës civile dhe tregtare. Kjo marrëveshje së shpejti do të firmoset, të ratifikohet nga dy kuvendet dhe si e tillë të bëhet pjesë e sistemit juridik të RM-së”- tha ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Adnan Jashari.

Vizita në Kosovë është vizita e parë jashtë vendi e Jasharit, në cilësinë e ministrit. Në këtë takim, Jashari dhe Kuçi këmbyen përvojat e përbashkëta në fushën e gjyqësorit, që kanë të bëjnë reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

Ndryshe, deri më tani Maqedonia dhe Kosova kanë realizuar tre marrëveshje dypalëshe në fushën e drejtësisë edhe atë: Marrëveshjen për Ekstradim, Marrëveshjen për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë dhe Marrëveshjen për Transferimin e Personave të Dënuar.

Gjatë qëndrimit të tij zyrtar të parë në Republikën e Kosovës, ministri Jashari vizitoi edhe  Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)