Popovski: U dëshmua se Maqedonia i plotëson kushtet për anëtarësim
Popovski, ka deklaruar se anëtarët e NATO-s e kanë të qartë se pengesa e vetme e Maqedonisë është Greqia...

Përfaqësuesit e Maqedonisë në Samitin e NATO-s në Uells, ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski dhe ai i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, kanë vlerësuar se edhe në këtë Samit u dëshmua që Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO dhe se në misionet e saj kontribuon më shumë edhe nga disa vende që janë anëtare të plota të Aleancës.
Madje ministri Popovski, ka deklaruar se anëtarët e NATO-s e kanë të qartë se pengesa e vetme e Maqedonisë është Greqia.
“Porosia kryesore nga Samiti kishte të bëjë me atë se NATO dëshiron të vazhdojë të zgjerohet. Nga ana jonë u dëshmuan pritjet se ai zgjerim do të bëhet edhe me respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Për momentin, në këtë Samit të gjithë e kishin të qartë se për Maqedoninë mbetet bllokimi nga Greqia dhe problemi i pazgjedhur me emrin dhe njëkohësisht të gjithë e kanë të qartë se në Greqi nuk ekziston vullnet që ajo çështje të tejkalohet”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
Ndërsa nga kabineti i ministrit, Zoran Jolevski, përmes kumtesës njoftojnë se në mbledhjen e ministrave të Mbrojtjes, ai ka deklaruar se “Republika e Maqedonisë e sheh të ardhmen e saj në NATO dhe është e gatshme t'i ndërmarrë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë si anëtare e NATO-s me të drejta të plota.
“Republika e Maqedonisë do të vazhdojë t'i ndajë vlerat e NATO-s dhe mbetet tërësisht e përkushtuar për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve interoperative nacionale dhe aftësive për kontribuimin e misioneve të ardhshme paqësore të udhëhequra nga NATO. Potencoj se sot Armata e Republikës së Maqedonisë ka njësi të certifikuara për misione të udhëhequra nga Aleanca e NATO-s në nivel të grupit të batalionit të mesëm të këmbësorisë dhe spitalit të lehtë mobil”- theksoi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.
Por, ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, vlerësoi se në Samitin e NATO-s në Uells, Aleanca më tepër u përqendrua në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, por edhe për luftën në Siri. Ai vlerëson se Maqedonia po ashtu duhet të plotësojë edhe kushtin që Armatës t’i ndajë së paku dy për qind nga bruto prodhimi vendor.
“Minimum dy për qind nga bruto prodhimi vendor duhet të shkojë në drejtim të Armatës, ndërsa 20 për qind prej tyre duhet të dedikohen për avancimin, transformimin dhe reformën në Armatë. Maqedonia nuk e plotëson këtë kusht. Me rebalancin e fundit u shkurtua buxheti i Armatës dhe ai tani është 1,18 deri në 1,20 për qind të BPV-së”- tha ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin.
Ish-ambasadori thotë se nga ana tjetër të gjitha këto mjete do të thotë rreth 96 për qind janë të dedikuar për rroga dhe ushqim të Armatës, por edhe për harxhime tjera.
Kjo, sipas Ruzhin, ka të bëjë me krizën ekonomike me të cilën Maqedonia ballafaqohet, por edhe me një lloj të NATO-skepticizmit pas dëshpërimit në Bukuresht, Çikago dhe tani në Kardiv. (Mefail Ismaili, TVM2)
