Botë

Rama: Lajmi nga Luksenburgu, shumë pozitiv

19.06.2019 11:48

Kryeministri, Edi Rama, e ka cilësuar lajm pozitiv nga Europa konstatimin e Këshillit....

Kryeministri, Edi Rama, e ka cilësuar lajm pozitiv nga Europa konstatimin e Këshillit të ministrave në Luksemburg, se Shqipëria dhe RMV-ja në tetor do të nisin bisedimet për anëtarësim.
 
“Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave. Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes, që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës, për të bllokuar negociatat me sharje,kërcënime, molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston”, tha Rama. 
 
Ndërkohë për kryedemokrati Lulzim Basha, shkak i mos hapjes së negociatave, është qeveria e korruptuar. “Negociatat do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit. Europianët nuk duan të mbajnë larg shqiptarë. Ata duan të mbajnë larg qeveritarët e korruptuar”.
 
Por, eurokomesari, Johanes Han, në pyetjen e gazetarëve nëse Maqedonia e Veriut duhet ndarë nga Shqipëria, ai tha: “Jo, sepse procesi është në bazë meritash dhe të dy vendet kanë arritur atë për të cilën ne jemi marrë vesh. Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes asaj që është dakorduar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian bazuar në vendimin unanim të të gjithë vendeve anëtare. Ka pasur pesë fusha kryesore prioritare ku Shqipëria është dashur të ketë rezultate. Sipas vlerësimit tonë, Shqipëria i ka arritur ato”,- u përgjigj Han.