Botë
Bashës i komunikohen akuzat. “Proces i montuar nga Rama, nuk kanë asnjë provë”
19.06.2019 13:25
Kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, iu komunikuan sot dy akuza....

Kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, iu komunikuan sot dy akuza që rëndojnë ndaj tij për çështjen e quajtur si “Dosja ruse”. Menjëherë sapo doli nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Basha theksoi se thirrja është bërë me qëllim shpërqendrimin e qytetarëve nga skandalet e Qeverisë, të publikuara nga gazeta “Bild”. Falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash janë dy akuzat që rëndojnë mbi kryeopozitarin, i cili ripërsëriti se procesi është montuar në zyrën e kryeministrit.
“E vetmja arsye pse jam këtu është që të shërbej si shpërqendrim për ju dhe qytetarët nga skandalet që kanë plasur nga ‘Bild’ dhe nga ato që do të plasin nesër. Prokuroria nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë provë ndryshe apo shtesë që nga 25 maji kur unë isha këtu. Zyrtarisht më komunikuan që nuk ka asgjë të re. Kjo për arsye të thjeshtë se kjo akuzë është montuar nga Edi Rama…U njoha me akuzën që nuk është akuzë sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument të falsifikuar, asnjë rus të vetëm, nuk ka asgjë, është një akuzë e formuluar për t’ju shpërqendruar juve. Dosjen do ma vënë sot në dispozicion sepse nuk e kanë gati.”,- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
