Ekonomi

Kthimi i TVSh-së nga 1 korriku, Tevdovski: Kthejmë paratë te qytetarët, luftë ekonomisë gri

19.06.2019 15:46

Të gjithë qytetarët nga mosha 15 vjeçare do të kenë të drejtë kthimi të TVSh-së për çdo llogari fiskale që kap shumën deri në 500 euro....

Projekti do të nis të zbatohet nga 1 korriku, ndërsa paratë do të jepen çdo tre muaj, por pagesa e parë do të bëhet në dhjetor. Qytetarët në afat prej 10 ditësh nga momenti që e marrin llogarinë fiskale duhet të dërgojnë kod të skanuar të llogarisë nëpërmjet aplikacionit që është përgatitur nga DAP.
 
“Tani për herë të parë nga tatimi juaj i paguar 15% do ju kthehet në llogarinë tuaj si kursim. Masa ka dy qëllime kryesore, kthim të 15 përqindëshit të paguar qytetarëve, siç është premtuar, dhe qëllimi i dytë është zvogëlimi i ekonomisë gri. Qytetarët do të jenë vetë inspektorë dhe do të na ndihmojnë në zvogëlimin e ekonomisë joformale duke kërkuar llogarit fiskale”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
 
Llukarevska: Jemi të parët në Ballkan me një sistem të tillë
 
“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një reformë të re e cila për herë të parë aplikohet tek ne, e para e këtij lloji që realizohet në Ballkan, ka qenë një sfidë e madhe për ne për të krijuar një sistem, i cili do t’u shërbejë qytetarëve, si dhe aplikacion përmes të cilit do të kthehet pjesë nga tatimi”,- tha drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska.
 
Zaev: Përmbushim një nga premtimet tona
 
E për kryeministrin Zaev kthimi i 15% të TVSh-së te qytetarët përmbush një nga premtimet më të mëdha të qeverisë.
 
“E rëndësishme se kjo masë vlen për të gjithë njësoj, të pasurit e dimë të gjithë se shpenzojnë më shumë dhe do të ketë limit për to. Definitivisht do të jetë model i suksesshëm dhe do të rritet në të ardhmen vetëm nëse ne të gjithë e pranojmë, shpenzojmë paratë tona, kërkojmë llogari fiskale, të mos lejojmë që sërish të mos mbulohet pjesa e cila i takon ekonomisë gri. Fjala është fjalë dhe fjala vlen, i kthejmë paratë te qytetarët dhe te kompanitë dhe vazhdojmë në këtë drejtim”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Me këtë reformë, çdo qytetar nga muaji i ardhshëm me një letërnjoftim të vlefshëm do të ketë mundësi për kthim të TVSh-së. Ai duhet të posedojë xhirollogari dhe të jetë i regjistruar në sistemin e-tatime. Sipas përllogaritjeve, një familje mesatare e cila harxhon rreth 530 euro për një muaj do të mund të kthejë rreth 172 euro.
 
ZEKIRJA MEXHITI