Maqedoni
Lëvizja Besa: Negociatat varen nga gjyqësori dhe Ligji për PPS-në
19.06.2019 16:11
Lëvizja BESA konsideron se data e negociatave varet nga reformat në gjyqësi dhe miratimi i ligjit për Prokurorinë Publike Speciale....

Nënkryetari i kësaj partie, Kastriot Rexhepi, tha se Qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera duhet të angazhohen në zbatimin e reformave. Sipas tij, sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është jofunksional, skajshmërisht i partizuar dhe i politizuar.
“Jemi dëshmitarë të faktit se edhe Bundestagu gjerman edhe Parlamenti holandez, por edhe shumë ambasadorë të vendeve me influencë të madhe në vendimmarrjen e BE-së kushtëzuan datën eventuale me Ligjin për Prokurorinë Publike Speciale, si një institucion i cili duhet të luftojë krimin dhe korrupsionin brenda institucioneve si në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen. Me fjalë tjera mund të nënkuptojmë se këto vende të rëndësishme i kanë thënë Maqedonisë së Veriut se ende nuk keni pastruar me krimin nga regjimi i kaluar”,- tha Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.
Lëvizja BESA kërkon të përfshihet në përpilimin e Ligjit për Prokurorinë Publike Speciale, duke propozuar që të hiqet afati për ngritjen e akuzave apo nisjes së hetimeve. Çdo tentim tjetër për të limituar punën e Prokurorisë Publike Speciale, sipas tyre, do jetë dëshmi se dikush tenton të fshehë krimin e bërë e cila do reflektojë negativisht ndaj partnerëve evropianë dhe prolongimin e marrjes së datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
NAIM RAMADANI
