Selimi: Mosmarrja e datës, i hap rrugën euroskepticizmit

19.06.2019 16:35

Mosmarrja e datës për fillimin e bisedimeve në qershor...

Mosmarrja e datës për fillimin e bisedimeve në qershor i adresohet edhe besueshmërisë së BE-së, por edhe politikave të brendshme, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Shqipëri, thonë panelistët në “Argument” në TVM2.

Sefer Selimi vlerëson se Shqipëria ishte stagnuese kësaj radhe për Maqedoninë e Veriut dhe përkujton se mosmarrja e datës do t’i hapte rrugën eurospekticimit. Profesori, Isak Sherifi, nuk është optimist për datë as në vjeshtë për shkak të zgjatjes së reformës në gjyqësor.

“Shpresojmë se kjo do të ndryshojë deri në qershor, por siç shihet, Shqipëria po hyn në krizë më të thellë. Fillimi i negociatave unë besoj se do të jetë brenda vitit përsëri, edhe pse mosndarja e datës së saktë fatkeqësisht hap shteg për euroskepticizëm, që është do të thosha arma më e fuqishme e grupeve apo atyre që kanë interes që Maqedonia të mos ecë drejt eurointegrimeve”,- tha analisti politik, Sefer Selimi.

SHERIFI: PA REFORMA, VËSHTIRË DATA EDHE NË TETOR

“Unë jam skeptik se këtë vit do të fillojnë bisedimet me BE-në për shkak të  probleme të brendshme, siç është Prokuroria Speciale… Më tepër tash duhet të fokusohemi brenda, të bëhen reformat e brendshme, në gjyqësor, në të gjitha rrafshet për t’i pasur në samitin e ardhshëm në shtator apo tetor, edhe pse janë paraqitur dilema të shumta, p. sh. në Greqi nëse fiton opozita, pritet ndoshta ndonjë ngërç në raport Maqedoni-Greqi, që nuk i bën nder samitit të ardhshëm për Maqedoninë e Veriut që të marrë datë për bisedime”,- tha profesori universitar, Isak Sherifi.

LUMA: PROCESIT I NEVOJITET EDHE PËRFSHIRJA E OPOZITËS

Për analistin, Ilir Luma, pa marrë parasysh kohën kur do të jepet data, eurointegrimi është çështje që duhet të preokupojë edhe opozitën. Ai kërkon që data  të mos shfrytëzohet për politikë ditore.

“Një shteti mund t’i ndihmohet të ec nga përparimi, të avancohet në të gjitha aspektet e përparimit, vetëm me përkrahjen e opozitës dhe asnjë shtet nuk mund te lavdërohet se proceset demokratike të atij shteti janë në nivel të lart, poqëse në këtë drejtim edhe opozita nuk trimërohet, pa marrë parasysh se është opozitë”,- theksoi analisti politik, Ilir Luma.

Panelistët në “Argument” diskutuan edhe rreth rikonstruimit e qeverisë dhe reformat e brendshme krahas politikës së jashtme për integrim. Kërkojnë që rikonstruimi  i qeverisë të jetë përmirësim i drejtuesve politikë dhe jo kalimi i një zyrtari nga një post në një post tjetër. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)