Maqedoni

12 ton ushqime përfundojnë në plehra, 460 mijë njerëz nuk hanë aq sa duhet në ditë

19.06.2019 17:03

12 ton ushqime cilësore në vendin tonë përfundojnë në mbeturina dhe jo aty ku duhet....

12 ton ushqime cilësore në vendin tonë përfundojnë në mbeturina dhe jo  aty ku duhet, tek ata që vërtetë kanë nevojë për të. 460 mijë bashkëqytetarët tanë nuk i hanë të gjitha shujtat e nevojshme të ditës, tregon hulumtimi i rrjetit të 31OJQ-ve që luftojnë për nismën “Të gjithë të ngopur”. Teksa ne hedhim ushqimin sepse nuk duam të hamë dy herë të njëjtën gjellë, ka njerëz që nuk kanë as ushqimin e nevojshëm në tryezë.
 
Megjithatë, sasinë më të madhe të ushqimit të hedhur e përbën ushqimi që hidhet nga supermarketet apo zinxhirët e mëdhenj të restoranteve. Nëse para afatit të skadencës, ky ushqim që hidhet do t’u shpërndahej atyre që kanë vërtetë nevojë për të, situatë do të ishte shumë më ndryshe. E për të diskutuar ndryshimin për mirë të kësaj situate, në Shkup u mbajt konferenca e donatorëve të 50 kompanive të mëdha ushqimore. 
 
“12 ton ushqim përfundon në deponi, me atë ushqim mund të ushqehen 26 mijë qytetarë. Ushqimi i tepërt nëse nuk hidhet, do të plotësonte nevojën për këta njerëz dhe të gjithë ata që janë në sistemin e mbrojtjes sociale që marrin një pagesë të caktuar,  do të jenë në gjendje të plotësojnë mënyrën e përditshme dhe të marrin ushqimin e duhur”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
 
Përmes projektit “Ushqim për të gjithë”, që ka filluar si iniciativë para një viti, janë arritur rezultate konkrete për gjetjen e zgjidhjeve inovative se si askujt të mos i mungojë ushqimi në tryezë. 
 
“Projekti “Ushqim për të gjithë” është pjesë e politikave tona të kthimit të solidarizimit dhe vlerave të shoqërisë, të lëna pas dore vite me radhë. Synimi ynë është rritja e përqindjes së dërgimit të ushqimit, te ata që kanë më shumë nevojë. Kjo arrihet përmes organizimit më të mirë dhe shfrytëzimit të resurseve që i kanë edhe kompanitë edhe shteti. Partnerët e vërtetë në këtë projekt janë OJQ-të dhe kompanitë”,- tha drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski.
 
“Të gjithë të ngopur” është rrjet i përbërë nga 31 organizata që funksionon në 10 qytete të vendit. 
 
REJHANE BUSHI METAJ