Mosmarrja e datës, Zaev: Kemi garanci të forta për tetorin

19.06.2019 17:33

Mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në këtë muaj, kryeministri Zaev e cilëson....

Mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në këtë muaj, kryeministri Zaev e cilëson vendim të imponuar nga afati i shkurtër kohor pas Raportit të progresit, por është optimist që data do të merret deri në vjeshtë.

Sipas tij, edhe përkundër shtyrjes së datës, është historik fakti që për Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë vërejtje apo kusht shtesë, madje nuk ka pasur asnjë shtet kundër si vitet e kaluara.

“Në këtë konkluzion qartë shkruan se nuk mund të jepet datë për shkak të afatit kohor dhe vonesave të shpalljes së raport progresit, ndërsa tetori vërtet do të jetë tetori, sepse aty shkruan jo më gjatë se në tetor. Këtë garanci e kemi marrë në letër të shkruar dhe në këtë drejtim nuk kemi asnjë vend kundër, prandaj po them kemi marrë rekomandim të pakushtëzuar. Prandaj pres edhe Këshilli Europian më datën 21/22 ta sjellë të njëjtin vendim dhe muaji tetor të jetë tetori i pritur”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: NUK KA GARANCI PËR VENDIM POZITIV NË TETOR

Por, VMRO-DPMNE akuzon qeverinë për dështim total në planin integrues. LSDM-së nuk i konvenon marrja e datës sepse nuk dëshiron që korrupsioni që e ka përfshirë të kontrollohet nga BE, thonë nga VMRO.

“Vitin e kaluar thanë se datë për fillimin e bisedimeve do të ketë dhe ajo do të jetë qershori i vitit 2019, dhe ja qershori erdhi, ne datë nuk kemi. Tani thotë se gjithçka është gati në tetor, do të marrim datë, ndërsa ne e pyesim se cilat janë garancitë për në tetor. Në konkluzën e Këshillit shkruan se jo më vonë se në muajin tetor do të sillet vendim, por nuk shkruan se çfarë vendimi dhe cila është garanci se këto bisedime fillojnë deri në fund të vitit”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

OSMANI: INTEGRIMI I RMV-SË, GARANCI PËR RAJONIN

Për BDI-në, integrimi është proces i pakthyeshëm. Zëvendëskryeministri Osmani, pas  takimit  me ministrin sllovak, Miroslav Lajçak, tha se hapja e negociatave do të ishte sinjal pozitiv për gjithë rajonin.

“Integrimi i Maqedonisë së Veriut, si dhe të vendeve të rajonit në BE, paraqet element të rëndësishëm për ndërtimin e një Unioni më stabil, më të sigurt dhe më prosperuese dhe në këtë drejtim fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut paraqet shprehje të rëndësishme të perspektivave evropiane në të gjithë rajonin”,- zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Sigurisht se vendimi i Këshillit të Ministrave do të jetë në qendër të vëmendjes deri më datën 21 dhe 22 kur pritet që Këshilli Europian t’i definojë disa gjëra rreth ecurisë apo dështimit të rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. (Fitim Kryeziu, TVM2)