Botë
Tetovë, zjarrfikësit në protestë, kërkojnë rritje rrogash dhe kushte më të mira
19.06.2019 17:47
Sindikata e të punësuarave në NJTKZ ka protestuar sot në Tetovë....

Sindikata e të punësuarave në NJTKZ ka protestuar sot në Tetovë, për kushtet e vështira të punës, mospagesën sipas Ligjit për ndërrimin e tretë, ditët e fundjavës dhe festat shtetërore. Sipas tyre, kjo është vjedhje nga institucionet. Akuzojnë se luftojnë me zjarret tashmë 20 vite me të njëjtat rroba dhe se makineria me të cilën punojnë është nga ish Jugosllavia.
“Ne kërkojmë ligji çka thotë, 29% neve na paguan komuna e Tetovës punën e natës, por duhet të paguhet 42%. Festat shtetërore neve na paguhet 42%, policia dhe institucionet tjera paguhen 150%, d.m.th. neve na vjedhin në këto mjete, vikendi na paguhet 29%, duhet sipas ligjit duhet të paguhet 42%. Besoni se na ka ardhur deri në majë të hundës do të marrim masa radikale”,- tha Feriz Xhemaili nga NJTKZ-Tetovë.
“Ne presim uniforma, vetura, presim prej tyre vetura, i kemi të vjetra, do të prishen. Uniformat i kemi tejet të vjetra dhe nuk funksionojmë dot më prej donacioneve, pra duhet të na ndihmojë edhe kryeministri Zaev”,- theksoi zjarrfikës.
Nga komuna e Tetovës me një komunikatë me shkrim kanë theksuar se javën e ardhshme do të kërkojnë një takim me zjarrfikësit dhe do dëgjojnë kërkesat e tyre.
“Brenda javës së ardhshme, zjarrfikësit do t’i ftojmë në komunë për të dëgjuar hallin e tyre. Kërkesat e zjarrfikësve për pajisje, siç janë kamionët dhe pajisjet e tjera për luftën kundër zjarrit, janë gjëra të kushtueshme për të cilët duhet patjetër ndihma e Qeverisë dhe Qendrës për Mbrojtje dhe Shpëtim”,- thuhet në komunikatën nga komuna e Tetovës.
Nga Sindikata e Zjarrfikësve janë shprehur se do të vazhdojnë me protesta deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
VISAR SADIKI
