Riformatimi i Qeverisë, Zaev: Të premten në kuvend lista me emrat e rinj
LSDM dhe BDI kanë përfunduar negociatat për rikonstruimin e Qeverisë....

LSDM dhe BDI kanë përfunduar negociatat për rikonstruimin e Qeverisë, duke hapur kështu rrugën për dorëzimin të premten në Kuvend të listës së emrave të ministrave të rinj. Vetë kryeministri Zaev e konfirmoi këtë datë, njofton “TVM2”.
Më pas do të jetë radha e ndërrimit të drejtorëve. Sipas kryeministrit, varësisht agjendës së Kuvendit, ministrat e rinj pritet të votohen javës që vjen.
“Planifikojmë të premten, sepse edhe parlamenti i ka planet e veta, në fillim të javës së ardhshme planifikojnë seancë. Besoj se së shpejti do të përfundojmë me planet për propozim për rikonstruimin e qeverisë. Nëse ndodh ajo të hënën, të martën në parlament, javën e ardhshme, vazhdojmë me vendet e drejtorëve dhe dëshirojmë që javën tjetër t’i përfundojmë ndryshimet kuadrovike në pjesën e komunave”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
LËVIZJA BESA: NUK KEMI QENË PJESË E BISEDIMEVE
Opozita shqiptare nuk ka qenë pjesë e bisedimeve për t’u bërë pjesë e mundshme e ekzekutivit. Nga Lëvizja Besa madje janë skeptikë se reformatimi do të sjellë vërtetë ndryshime cilësore në punën e ekzekutivit.
“Kryeministri deri më tani shumë herë ka paralajmëruar ndryshime, zgjerime e kështu me radhë, por Lëvizja Besa nuk ka kurrfarë bisedime me kryeministrin në këtë drejtim dhe presim të shohim se çka do të ndodhë nga ajo e paralajmëruara për ndryshimet, si rezultat i politikave të dështuara të qeverisë”,- tha nënkryetari i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.
LSDM ndërkohë deri në fund të muajit do t’i sjellë vendimet edhe për ndryshimet e brendshme ku ende nuk janë përcaktuar se kush do të jenë nënkryetarët si dhe për një pjesë të vogël të degëve komunale. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
