Botë

Kaos në Shqipëri, sulmohen KZAZ-të, ka persona të lënduar

19.06.2019 18:18

11 ditë para datës së zgjedhjeve vendore, në Shqipëri mbizotëron kaosi....

Dhjetëra komisione zonale të administrimit zgjedhor janë djegur në bashkitë ku kryetarët janë nga Partia Demokratike, duke zbatuar kështu zhdekretimin e zgjedhjeve nga presidenti Ilir Meta. Materialet zgjedhore janë djegur nga drejtues të Partisë Demokratike në Burrel, Klos, Kukës, Pogradec, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Tropojë dhe Ballsh.
 
PD: Rama kërkon përplasje dhe konflikt civil
 
Gjatë përplasjes me forcat policore, një person ka mbetur i plagosur rëndë në Burrel, teksa zbatonte dekretin e presidentit duke djegur materialet zgjedhore. Ai është në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë. Partia Demokratike akuzon qeverinë se kanë lëshuar siç i cilësuan “zagarët” kundër demokratëve, duke bërë një grusht shteti për të mbajtur pushtetin me dhunë. PD ka ftuar të gjithë shqiptarët të dalin në protestë masive të enjten. 
 
“Për pushtetin personal dhe për pasurinë e tij të paligjshme, Edi Rama po tregon se është i gatshëm t’i vërë zjarrin Shqipërisë, të nxisë konfliktin civil dhe vëllavrasjen mes shqiptarëve. Edi Rama dhe banda e tij, në paligjshmëri të plotë, po arrestojnë qytetarët për arsyen e vetme se ata po zbatojnë ligjin. Ky ligj është botuar në fletoren zyrtare nga vetë qeveria dhe është akti i vetëm në fuqi për zgjedhjet”,- tha nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.
 
Rama: Sulmi ndaj KZAZ-ve, krim zgjedhor
 
Kryeministri Rama në një status në Tuiter tha se sulmet ndaj KZAZ-ve përbëjnë krim zgjedhor.
 
“Fatkeqësisht asgjë e paparashikuar! Vijon revolucioni imagjinar me punonjësit e bashkive blu. I pyes: A ia vlen të kryeni krime zgjedhore e të përballeni me ligjin për ata që e katandisën PD-në dhe LSI-në në këtë derexhe dhe duan ta bëjnë hallin e tyre me drejtësinë hall të Shqipërisë? Zero!”,- shkruan Rama.
 
Nga ana tjetër komisioni i ligjeve ka miratuar ndryshimet e reja në Kodin Penal, sipas të cilave “Kush pengon zgjedhjet do të ndalohet të dalë nga Shqipëria për një periudhë 5-10 vjet”.
 
OSBE: Po njolloset reputacioni ndërkombëtar i vendit
 
Ndaj sulmeve ndaj komisioneve zonale ka reaguar edhe prezenca e OSBE në Shqipëri. Sipas saj, çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. 
 
Meta njofton OSBE-ODHIR: Më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje
 
Presidenti Meta ka ndërmarrë hapin e radhës për dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve, duke njoftuar drejtuesit e lartë të OSBE - ODHIR për zhdekretimin e datës zgjedhore të 30 qershorit. Në letrën që mban datën 19 qershor 2019 dërguar përfaqësuesve të OSBE – ODHIR, presidenti Meta i njofton zyrtarët se nëse zgjedhjet do të mbahen në kundërshtim me dekretin do të jenë nul dhe të pavlefshme.
 
LULJETA NDOKA