KUVENDI I KOSOVËS

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 12 shtator

05.09.2014 17:48

Nën kryesimin e Flora Brovinës, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 12 shtator për të vazhduar seancën konstitutive........

Kjo datë u vendos nga kryesuesja e seancës, Brovina, në takimin që realizoi dje me përfaqësuesit e 11 subjekteve politike parlamentare. Por, në këtë takim nuk morën pjesë përfaqësuesit e bllokut paszgjedhor, LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje.

“Qëllimi i këtij takimi bazohet në aktgjykimin e kushtetueses në rastin “K00119/14” të datës 26 gusht 2014, për vazhdimin e seancës konstitutive të legjislaturës së pestë, të filluar më 17 korrik të këtij viti, e të ndërprerë nga ana ime, për të vazhduar më tuje”- deklaroi deputetja e PDK-së, Flora Brovina.

Ndërkohë, blloku LDK, AAK, Nisma kanë mbajtur sot një mbledhje parapërgatitore për seancën e 12 shtatorit. Ndërsa kanë paralajmëruar edhe një takim me Lëvizjen Vetëvendosje, për t’u përgatitur për seancën konstituive.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të sotëm është shprehur se blloku mbetet i palëkundur, duke thënë se ata po presin seancën konstituive për të realizuar objektivat e nisura që nga formimi i këtij koalicioni, përkatësisht zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nga ana e bllokut opozitar.

Ndërsa deputetët e pakicave, që të gjithë ishin pjesëmarrës në konsultimin e Flora Brovinës, ata janë shprehur të hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike shqiptare, pa mbajtur anë.

Seanca konstitutive e 12 shtatorit, në fakt mbahet për herë të dytë pas asaj të 17 korrikut kur Isa Mustafa u zgjodh për kryetar i Kuvendit, por Gjykata Kushtetuese e anuloi zgjedhjen, duke i dhënë të drejtë për propozimin e kryeparlamentarit fillimisht grupit më të madh parlamentar.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë sot thirrje deputetëve të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e bllokadës politike të krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit. (Gyltene Sinani, TVM2)