"Dhuna në Qendër", dëshmitarët e mbrojtjes: Nuk kishte dhunë
Gjykimi për rastin "Dhuna në Qendër", i njohur edhe si “Shuplakat e porositura”....

Gjykimi për rastin "Dhuna në Qendër", i njohur edhe si “Shuplakat e porositura” për kryetarin e atëhershëm të komunës Qendër, Andrej Zhernovskin, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes.
Elizabeta Stojmenova dhe Jovica Gjeorgjievski thanë se protestën para komunës Qendër në qershor 2013 nuk e shohin të dhunshme. Stojmenova tha se edhe ajo ka marrë pjesë në protestë si qytetare e revoltuar, duke kundërshtuar rrënimin e Kishës “Shën Konstandini dhe Elena”, por që atë ditë, sipas saj, nuk ka pasur trazira. Sipas Stojmenovskës, ata që kanë dashur të provokojnë konflikt fizik kanë qenë grup i tifozëve të “Rabotniçkit”.
Ajo tha se ka qenë e revoltuar për lajmin që ka dëgjuar për projektin “Shkupi 2014”, por nuk iu kujtua nëse kishte dëgjuar qëndrim publik nga komuna për rastin në fjalë. Edhe Gjeorgievski tha që protesta ka qenë në frymën e ortodoksisë dhe jo e dhunshme. Sipas tij, organizatorëve të protestës është dashur t’u lejohet të marrin pjesë në seancë të Këshillit.
Në njërën nga “bombat” e PSP-së të publikuara më parë, në bisedën mes Mile Janakievskit dhe Nikolla Gruevskit, dëgjohej se si ish kryeministri Gruevski i thotë ish ministrit Janakievski se të premten kryetari i komunës, Zhernovski, duhet të marrë disa shuplaka, pas çka Janakievski e siguron se do të organizojë protestë.
Për ngjarjen "Dhuna në Qendër", përveç tyre janë të akuzuar edhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, dhe 9 persona të tjerë. Ata ngarkohen për nxitje të dhunës që u shkaktua gjatë protestave në Qendër.
Në gjykimin e deritanishëm në këtë proces fajin e kanë pranuar Tomisllav Llazarov dhe Jordan Ristevski. Dimçe Ristevski gjykohet në procedurë të ndarë. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
