Veles, keqpërdorën paratë publike, akuzë për ish kreun e komunës dhe këshillit
Prokuroria Themelore në Veles ka dorëzuar deri te Gjykata Themelore....

Prokuroria Themelore në Veles ka dorëzuar deri te Gjykata Themelore në këtë qytet akuzë kundër ish kryetarit të komunës, Sllavço Çadiev, dhe ish kryetarit të Këshillit, Aleksandar Kolev, për veprën penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, Çadiev, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar, i ka siguruar në mënyrë të paligjshme Kolevit të ardhura në vlera të mëdha.
“Në kundërshtim me dispozitat nga rregullorja për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve motorike zyrtare, Çaidev gojarisht e ka miratuar që i akuzuari i dytë, disa herë, në periudhën prej 23.02.2014 deri në 09.08.2016, t’i shfrytëzojë veturat zyrtare për qëllime private”,- thonë nga Prokuroria.
Kolev, ndërkohë, meqë ka qenë kryetar i Këshillit Komunal, i ka dhënë të drejtë vetes të përdorë dy veturat zyrtare edhe për qëllime private.
“Ai disa herë ka kryer edhe furnizim të karburantit për dy veturat, gjegjësisht 2.800 litra, të cilat kanë kushtuar 170.598.00 denarë, para të komunës së Velesit”,- thonë nga Prokuroria. (Flutura Latifi, TVM2)
