Aktvendimi për rastin e Almir Aliut, Alispahiq: Nuk presim asgjë të re
Avokati mbrojtës në rastin për vrasjen e Almir Aliut nga Kumanova, Asmir Alispahiq....

Avokati mbrojtës në rastin për vrasjen e Almir Aliut nga Kumanova, Asmir Alispahiq, në prag të shpalosjes së aktvendimit gjyqësor nga rigjykimi në këtë rast, thekson se nuk presin asnjë ndryshim sa i përket aktvendimit gjyqësor dhe nivelit të dënimit për të akuzuarin, Boban Iliq.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për gjykatësin dhe prokuroren e njëjtë, është evidente se mbrohet i akuzuari.
“Duke pasur parasysh përvojën me Gjykatën dhe Prokurorinë Publike të Kumanovës me vendimin paraprak, unë si avokat mbrojtës i familjes Aliu nuk pres asgjë të re përveç se të vërtetojnë atë që e flas gjithë kohës se me të vërtetë kjo lëndë është e montuar, duke filluar nga fillimi me rikualifikimin e veprës dhe ekspertizat. Është e dukshme tendenca për ndihmë të të akuzuarit, Bonan Iliq, por jam i bindur se instancat më të lara do të pastrojnë këtë rast”,- tha avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Alispahiq theksoi se sërish janë bërë lëshime gjatë procesit gjyqësor. Sipas tij, edhe pse më herët Gjykata e Apelit vendosi për rigjykim, nga ana e trupit gjyqësor gjatë procesit të gjykimit nuk janë respektuar udhëzimet e dhëna nga kjo gjykatë.
“Gjykata sillej në mënyrë indiferente në pjesën e udhëzimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit njëjtë sikur të mos i kishte. Në përgjithësi i shpalosi dëshmitë që ishin edhe më herët, me insistimin tonë dëgjoi një ekspert për komunikacion dhe teknikë”,- tha avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Alispahiq tha se do të bëjnë sërish ankesë për shqyrtim serioz nga Gjykata të shkallës më të lartë dhe sipas dispozitave të reja ligjore të hapet shqyrtim kryesor ku do të shpalosen të gjitha dëshmitë dhe do të miratohet vendim i drejtë.
Ngjarja ka ndodhur më 25 qershor 2016, ku një zënkë banale përfundoi me tragjedi dhe humbi jetën Almiri katërvjeçar.
I akuzuari për vdekjen e Almir Aliut, Boban Iliq, ngarkohet për veprën “aksident trafiku”, me të cilën parashihet dënim më i ulët dhe jo për veprën “vrasje me paramendim”, siç ishte kërkuar fillimisht në aktakuzë.
Rikualifikimi i lëndës ngjalli pakënaqësi në opinion dhe e njëjta rezultoi me protesta. Gjykata e shkallës së parë të akuzuarin, Iliq, e dënoi me 6 vite burg, babanë e Almir Aliut me 6 muaj, ndërsa Abdulla Aliun dhe Sami Demirin me nga 9 muaj burg. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
