RTVM dhe Delegacioni i BE-së, aksion për pastrimin e mbeturinave në Shkup
Udhëheqësia dhe të punësuarit në servisin publik, me përkrahje edhe të delegacionit të Komisionit Evropian në Shkup....

Udhëheqësia dhe të punësuarit në servisin publik, me përkrahje edhe të delegacionit të Komisionit Evropian në Shkup, realizuan një aksion për pastrimin e keit të lumit Vardar.
Aksioni u përqendrua në hapësirën mes urës “Nënë Tereza” dhe Urës së Gurit, ndërsa kishte për qëllim që edhe RTVM të kontribuojë për pastrimin e ambientit, si dhe për ngritjen e vetëdijes se mbeturinat nuk duhet të hidhen në ambiente publike.
Drejtori i RTVM-së, Marian Cvetkovski, dhe euroambasadori, Samuel Zhbogar, theksuan se aksionet e këtilla janë shumë të rëndësishme, që të kemi një ambient sa më të pastër.
“Nëse ne jemi sot rreth 100 njerëz, paramendoni dhe për 20 minuta pastruam një pjesë të këtillë, paramendoni si do të dukej shteti ynë nëse tërë administrata shtetërore prej 120 mijë njerëzish të përfshihen një herë në muaj në këtë aksion. Dhe aspekti i dytë është të nxisim të gjithë, të jemi të kujdesshëm ndaj ambientit jetësor dhe të mos hedhim mbeturina ku nuk duhet”,- theksoi drejtori i RTVM-së, Marian Cvetkovski.
“Vi me ftesë të drejtorit, biseduam në tema televizive, atëherë lindi një ide e këtillë dhe jemi shumë të lumtur për mundësinë që ta përkrahim dhe të përfshihemi edhe ne. Një pjesë e personelit të delegacionit të BE-së po ashtu u përfshi në aksion. Duam të arrijmë dy qëllime, të përkrahim aktivitete të këtilla dhe t’i turpërojmë njerëzit që hedhin mbeturina e ne shkojmë pas tyre dhe i mbledhim”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Pjesë e aksionit për pastrim në kryeqendër ishin fytyrat e njohura të ekranit, përfshi kryeredaktoren e servisit të dytë publik, Migena Gorenca, por edhe personalitete tjera, si drejtoresha e galerisë Nacionale, Dita Starova.
“Ideja lindi, fytyrat publike të ekranit të televizionit publik të bëjnë diçka për të mirën e publikut dhe e mira e publikut është t’u tregojmë të tjerëve që ne nuk turpërohemi të pastrojmë, ne nuk turpërohemi të lëmë një ambient të pastër për fëmijët tanë. Unë them gjithmonë: asnjëherë autoritetet e qytetit nuk mund t’ia dalin pisllëkut që ne e bëjmë dhe duhet të nisim nga vetvetja, nëse ne fillojmë të mos e hedhësh një letër në tokë dhe po të shohësh njeri tjetër të mos rrish indiferent, duke thënë se nuk është puna ime, sepse pastërtia e qytetit është puna e të gjithëve”,- tha kryeredaktorja e TVM-2, Migena Gorenca.
“Në shumë raste kemi pasur emisione për të cilat edhe kemi debatuar dhe kemi diskutuar dhe kemi qenë një prej mediave që kemi bërë ftesë ta ruajmë ambientin, por gjithsesi kjo duhet të jetë një vetëdijesim i gjithë popullatës”,- tha gazetari i radio Shkupit, Hajrush Mani.
“Me kënaqësi sot kemi mbledhur të gjithë stafin që të japim një kontribut sado të vogël, që të bëjmë një ambient të pastër, sepse është një kulturë e përgjithshme e cila e tregon mentalitetin tonë, emancipimin tonë, kulturuarën tonë dhe gjithsesi do të jetë shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët t’i bashkohen këtij aksioni”,- u shpreh drejtori i Shoqërisë Aksionare “Resurset energjetike të RMV-së”, Bajram Rexhepi.
“Duhet secili të mendojë se ku ecën dhe çfarë lë prapa vetes, e jo të vijë puna që ne duhet të pastrojmë, por secili nga vetja të nisë me hapa të vegjël e mos të përhapen mbeturinat, të shkojmë në hapa të mëdhenj e të jetë pastërtia në nivel”,- deklaroi drejtoresha e Galerisë Nacionale, Dita Starova.
Kur i shohim thasët e grumbulluara me mbeturina vetëm gjatë një aksioni për pastrim, është e qartë se sa të pakujdesshëm jemi ndaj ambientit ku jetojmë, prandaj apeli i servisit publik është që të angazhohemi për një ambient sa më të pastër, duke u përfshirë në aksione për pastrim, por edhe duke u kujdesur që të mos hedhim mbeturina vend e pavend. (Gyltene Sinani, TVM2)
