Hoxha: Deri në fund të javës, propozimin për ndryshimet në Qeveri

20.06.2019 16:59

Deri në fund të kësaj jave pritet që kryeministri, Zoran Zaev, të dorëzojë deri tek Parlamenti....

Deri në fund të kësaj jave pritet që kryeministri, Zoran Zaev, të dorëzojë deri tek Parlamenti propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha, në pres konferencën e rregullt të Qeverisë.

Hoxha nuk dha emra konkretë të ministrave apo zëvendësministrave që do të preken nga rekonstruimi me arsyetimin se ende janë duke u bërë konsultime të vazhdueshme mes liderëve të partive politike.                                                                             

“Deri në fund të kësaj jave pritet që kryeministri, Zoran Zaev, në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë do të dorëzojë propozimin për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Deri në momentin zyrtar të propozimit nuk mund të theksojmë asgjë rreth asaj se a do të përfshihen apo jo zëvendësministrat, për shkak se kryeministri vazhdon konsultimet me liderët e partive politike të cilat janë pjesë e shumicës qeveritare”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Hoxha njëherit hodhi po ashtu mundësinë që këto ndryshime qeveritare të vijnë si rezultat i publikimit të përgjimeve të bisedave telefonike.              

“Institucionet të cilat janë kompetentë për rastet e tilla i kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe i kanë komunikuar qëndrimet e tyre me opinionin, assesi ato nuk mund të ndikojnë në rikonstruimin e ndryshimeve kuadrovike të cilat janë paralajmëruar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Lidhur me publikimin e “bombave” nuk dua të komentoj përveç ta përsëris qëndrimin zyrtar të MPB-së, ndërsa opinioni është i njohur se ndryshimet kuadrovike në kabinetin qeveritar i kemi paralajmëruar më herët”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Këto prononcime Hoxha i bëri gjatë promovimit të masave të reja të Qeverisë të cilat kanë të bëjnë me shitjen e tokës bujqësore, e cila është në pronë të shtetit, ku ishte prezent edhe zëdhënësja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Sonja Jankovska, e cila tha se kjo masë do t’i ndihmojë në masë të madhe bujqit. (Fitim Kryeziu, TVM2)