Subvencionet, Bekteshi: 87 kompani përfitojnë mjete financiare nga shteti

20.06.2019 17:37

87 kompani në vend do të përfitojnë mjete financiare....

87 kompani në vend do të përfitojnë mjete financiare në kuadër të programit për konkurrencë, inovacion dhe sipërmarrësi.

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë ndarjes së vendimeve për përfituesit e kësaj mase, theksoi se përmes kësaj ndihme synohet t’iu dilet në ndihmë kompanive që të bëhen më produktive, më konkurruese, por në të njëjtën kohë të krijojnë edhe vende të reja të punës.

“Ka një interes shumë të madh nga ana e kompanive për të shfrytëzuar këto masa të cilat realizohen dhe implementohen nga ana e Ministrisë së Ekonomisë. Këtë vit janë ndarë 21 milionë denarë ku do të përfitojnë 87 kompani mikro, të vogla dhe të mesme. Dedikimi është për blerjen nga ana e kompanive të mjeteve, makinerisë, instrumenteve, aleteve të ndryshme me të vetmin qëllim, që ato të krijojnë produkte të reja, të kenë produkte më konkurruese dhe njëkohësit të krijojnë vende të reja të punës”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Përfaqësues të kompanive të cilët ishin përfitues të kësaj mase u shprehën se çdo mbështetje financiare e Qeverisë për biznesin është e mirëseardhur nga sipërmarrësit.

“Prodhim kemi, zhvillim kemi dhe këto mjete që i dedikon qeveria do të na ndihmojnë për zhvillimin e mëtutjeshëm, se nuk janë mjete të mëdha kushedi se sa, por se në ekonomi për momentin janë të mirëseardhura”,- u shpreh një sipërmarrës.

Bekteshi shtoi se që nga 2017 deri më sot, Ministria e Ekonomisë vetëm përmes kësaj mase ka ndihmuar më shumë se 250 kompani, gjë që nënkupton se si dikaster janë vërtet të përkushtuar në përforcimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në vend. (Zekirja Mexhiti, TVM2)