Rekonstruimi i Qeverisë, Zaev nesër dorëzon në Kuvend listën me emra

20.06.2019 18:00

Bisedimet me partnerët e koalicionit kanë përfunduar....

Bisedimet me partnerët e koalicionit kanë përfunduar, por emrat e rinj pritet t’i publikojë vetë kryeministri Zaev ditën e premte, kur pritet që Zaev të dorëzojë në Kuvend propozimin e tij për shkarkimin dhe emërimin ministrave që do të përfshijë “fshesa” e paralajmëruar tanimë një kohë të gjatë.

“E dini se mandator është kryeministri dhe të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me rekonstruimin e qeverisë, propozimet deri te Kuvendi do t’i propozojë kryeministri Zaev”,- tha Oliver Spasovski nga LSDM.

Dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit kanë shterur debatin për sa i përket riformatimit të qeverisë, por jo edhe atë për këmbimin e mundshëm të drejtorive.

“Ende nuk e kemi përfunduar këtë proces meqë jemi dakorduar me partnerin e koalicionit që fillimisht të bëhet rekonstruimi i ministrave dhe pastaj të kemi edhe kontributin e ministrave të rinj në përcaktimin e drejtorëve, ashtu që momentin po bisedojmë edhe për këmbime edhe për emërime të institucioneve, ata që i drejton BDI. Përderisa nuk përfundon procesi, a do të kemi këmbime apo jo ne nuk mund të mendojmë për emra të rinj të institucioneve atje ku vlerësojmë bashkërisht se duhet të ketë ndryshime”,- theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Ajo që dihet është se kryeministri Zaev do t’i propozojë Kuvendit emra të rinj për dy ministri që aktualisht janë vakante, siç është Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë pas dorëheqjes së Asaf Ademit dhe tërheqjes së Ljupço Nikollovskit.

Në valën e ministrave të rinj pritet të propozohet edhe emër që do të drejtojë ministrinë e re për sistem politik.

Do të ketë emra të rinj apo të njëjtët kuadro do të ndërrojnë resor, do të mësohet pas dorëzimit dhe miratimit të propozimit të kryeministrit Zaev për përbërjen e re të kabinetit qeveritar, që pritet të votohet në fillim të javës së ardhshme. (Shpëtim Nuredini, TVM2)