Kopshti “Borëbardha”, hapet kabineti i defektologjisë

20.06.2019 18:18

Tanimë edhe fëmijët me nevoja të veçanta do t’i gëzohen vajtjes në kopsht....

Tanimë edhe fëmijët me nevoja të veçanta do t’i gëzohen vajtjes në kopsht. Në kopshtin për fëmije “Borëbardha”, në komunën e Çairit, është hapur kabineti i defektologjisë. Investimi është realizuar nga ana e fondacionit TIKA, qëllimi i së cilës është inkuadrimi i këtyre fëmijëve në shoqëri.                                                                                             

“Ishte paraparë që një pjesë e kopshtit të ndahet për fëmijët me nevoja të veçanta, me autizëm. Këtë e realizuam, ndamë klasa për këta fëmijë, si dhe këto klasa i kemi pajisur me lodra dhe mjete të veçanta”,- tha përfaqësuesi i TIKA-s në RMV, Ajtekin Ajdin.                                                                                                  

“Më gëzon fakti se përmes donacionit të R. së Turqisë, nëpërmjet TIKA-s, është formuat një kabinet i cili do të shërbejë për fëmijët me autizëm dhe për fëmijët me nevoja të posaçme. Më gëzon ajo që do të ketë kushte të mira për personelin dhe për fëmijët”,- theksoi ambasadorja e Turqisë në RMV, Tylin Erkal Kara.

Gjatë hapjes së këtij kabineti u dhuruan edhe lojëra për fëmijët e kopshtit.

“Kjo ide ka dalë nga kërkesa apo nevoja e kësaj çerdhe për të pasur një kabinet të tillë defektologjik. Mendoj qe investimi në këtë kategori të personave me aftësi të kufizuara është më se i nevojshëm dhe çdo investim që do të jetë në fushën e arsimit do të jetë i mirëseardhur”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

“Saktë në kohë është bërë një projekt i vogël, por me rëndësi të madhe. E dini që para pak kohësh është miratuar Ligji për mbrojtje të fëmijëve dhe mbrojtje sociale, dhe ne si ministri i mbështesim këto projekte, pasi qëllimi ynë është inkuadrimi i këtyre fëmijëve në shoqëri”,- tha zëvendësministri i MPPS-së, Gonyl Bajraktar.                                                                                                                  

Të pranishmit patën mundësi të ndjekin edhe një program artistik të përgatitur nga fëmijët e këtij kopshti. (Belinda Koka Ademi, TVM2)