UKRAINË-RUSI

Luftime në Ukrainë edhe gjatë bisedimeve për armëpushim eventual

05.09.2014 18:19

Granatime me artileri janë raportuar në qytetin Mariupol të Ukrainës, në kohën e bisedimeve për armëpushim eventual......

Forcat pro-qeveritare të Ukrainës, kanë thënë se janë sulmuar disa herë gjatë natës. Vëzhguesit e OSBE-së, kanë raportuar po ashtu për luftime në dy fshatra të Mariupolit.

Mariupoli, port strategjik në detin Azov, në perëndim të kufirit rus, është bërë pikë e nxehtë e luftimeve në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Në anën tjetër kanë filluar bisedimet, që përfshijnë përfaqësues të Qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, të cilat kanë nisur në Minsk të Bjellorusisë. Bisedimet, që ndiqen edhe nga zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në lindje të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko dhe liderët separatistë kanë thënë se janë të gatshëm për armëpushim nëse arrihet marrëveshje për një plan që do t’i jepte fund konfliktit pesëmujor. Bisedimet pasojnë. Një bisedë telefonike u realizua midis Poroshenkos dhe presidentit rus, Vladimir Putin, më 3 shtator, gjatë së cilës ata kanë diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit, që ka vrarë mbi 2,600 njerëz qysh në muajin prill. Ndërsa disa media tanimë kanë njoftuar për arritjen e armëpushimit.