Përgjimet, ASh: Ka indicie për shkelje të ligjit, të merren masa
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me përgjimet....

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me përgjimet që tashmë disa javë janë bërë publike për opinionin, përmes profilit “El Cheka” në rrjetet sociale.
Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti, thotë se përgjimet tregojnë qartë se zyrtarë të BDI-së kanë keqpërdorur pozitat e tyre partiake dhe shtetërore. ASh kërkon që Prokuroria Publike të marrë masa urgjente në lidhje me atë që dëgjohet në bisedat e përgjuara.
“Ne si Aleancë u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë, siç është edhe Prokuroria Publike Speciale, që sa më parë t’i marrë në shqyrtim këto përgjime, të verifikojë autenticitetin e tyre dhe sa më parë të hapë procedura hetimore për zyrtarët e BDI-së, të cilët e kanë shkelur ligjin. Është e pakuptueshme dhe jonormale që heshtja e pushtetit, më saktë e LSDM-së dhe e kryeministrit Zaev, i cili, ashtu siç dikur i kurseu zyrtarët e BDI-së, këtë qëndrim po e përsërit duke treguar indiferencë ndaj përgjimeve të reja, në vend që të krijojë klimë dhe kushte për ndjekje penale për të gjithë ata zyrtarë që e kanë thyer ligjin dhe Kushtetutën e vendit, i njëjti merret me kalkulime për qeverinë e re e jo me çështjen e përgjimeve”,- tha zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.
