Këshilli i BE-së: Vendimi për RMV-në dhe Shqipërinë, në tetor

21.06.2019 16:17

Këshilli i BE-së ka konfirmuar konkluzat e Këshillit për Punë të Përgjithshme....

Këshilli i BE-së ka konfirmuar konkluzat e Këshillit për Punë të Përgjithshme, i cili thotë se vendimi për dhënien e datës për fillimin e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të merret në vjeshtë.

Edhe përkundër mesazheve të vendeve anëtare pro zgjerimit të BE-së që të mos shtyhet vendimi, shefat dhe kryeministrat e shteteve të BE-së ngelën në vendimin që për këtë çështje vendimi të merret në  muajin tetor. Por, kancelarja gjermane, Merkel, ka thënë se në pyetje janë vetëm disa javë, ndërsa ka siguruar se do të bëjë çmos që ky vendim të merret deri në tetor.

“Do të bëj gjithçka që mundem që të miratohet vendim pozitiv, sepse Maqedonia e Veriut ka bërë punë për shembull me Marrëveshjen e Prespës dhe për këtë kemi biseduar në samit.  Bëhet fjalë për disa javë. Me të vërtetë kjo qëndron në përkushtimin tonë dhe unë personalisht do të japë kontribut për këtë çështje”,- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Kryetari i Kroacisë, Plenkoviq, ka apeluar të mos shtyhet koha pas tetorit dhe gjithashtu të merret vendim pozitiv për dy vendet ballkanike. Një vendim ndryshe, sipas tij, do t’i hapte rrugën forcave tjera botërore të shtrijnë ndikimin në Ballkan.

“Sa i përket zgjerimit, unë e përsërita mesazhin se nuk është mirë që për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk u mor vendim pozitiv. Mendoj se pritëm nga Samiti i Sofjes një vit e një muaj. Përsëris: nëse BE është e ngadalshme, aktorë të tjerë global do ta rrisin ndikimin e tyre tek fqinjët tanë. Për këtë apelova që në tetor kur kjo çështje të diskutohet përsëri, të krijohet një atmosferë pozitive për të miratuar vendime pozitive”,- tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Sipas informacioneve nga Brukseli, një afat më i akseptuar për ta diskutuar sërish çështjen e datës për bisedimeve për Shqipërinë dhe vendin tonë kap kohën prej 16 shtator deri në 15 tetor.

Mbetet për t'u parë nëse shtetet anëtare të BE-së do të gjejnë një platformë të përbashkët në tetor dhe do t'i realizojnë premtimet e dhëna, ose do t’i mbajnë vendet e Ballkanit në dhomën e pritjes. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)