Banka Botërore dhe RMV, strategji katërvjeçare bashkëpunimi
Përmirësimi i konkurrueshmërisë, rritja e produktivitetit të tregut....

Përmirësimi i konkurrueshmërisë, rritja e produktivitetit të tregut të punës dhe qëndrueshmëria e tyre, synohet përmes strategjisë 4-vjeçare të Bankës Botërore për RMV-në, e cila u nënshkrua sot.
Për këtë strategji janë ndarë 420 milion dollarë, kurse nga BB programi vlerësohet si mjet për përshpejtimin e proceseve.
“Maqedonia e Veriut është një vend i cili është shumë mirë i ranguar në raportin “Doing Bussines”, por tani është koha për përforcimin e klimës së mirë ekonomike në investime dhe aktivitete konkrete ekonomike, ashtu që së bashku me qeverinë do të punojmë në shfaqjen e sektorit privat. Do të fokusohemi në fushat, si lidhshmëria, qasja në tregje, ndihma e subjekteve private, të jenë më inovative dhe në hapjen e vendeve cilësore të punës”,- deklaroi nënkryetari i BB-së.
Sipas ministrit të financave, Dragan Tevdovski, kjo është shumë me rëndësi për Maqedoninë, për shkak se shumë prodhues vendorë ballafaqohen me sfida të shumta me hyrjen në tregun global.
“Ky partneritet do t’i ndihmoj[ Maqedonisë së Veriut të bëhet destinacion më atraktiv për prodhuesit e huaj dhe do të inkurajoj[ zhvillimin e prodhuesve vendas. Me zhvillimin e zinxhirëve për prodhim dhe përmes përmirësimit të dijeve të kompanive, efektet në ekonominë e përgjithshme të vendit do të jenë më të mëdha”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Memorandumi u nënshkrua në Ministrinë e Financave me IFC - anëtare e grupacionit të BB-së. Partneriteti është pjesë e përpjekjeve të përgjithshme të IFC-së për të krijuar vende pune, për të rritur eksportet vendase dhe për të lëvizur zhvillimin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Projekti në Maqedoninë e Veriut mbështetet nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës dhe parashikon dhënien e këshillave nga ana e IFC-së për agjencitë shtetërore për të lehtësuar procedurat dhe për të reduktuar burokracinë e tepërt. (Ersan Pajaziti, TVM2)
