Byroja për Metrologji, laborator mobil për cilësinë e derivateve

21.06.2019 20:10

Byroja për Metrologji prezantoi laboratorinë mobile....

Byroja për Metrologji prezantoi laboratorinë mobile, e cila do të mundësojë në mënyrë të shpejtë dhe efikase të bëhen analiza në teren në lidhje me ekzaminim e cilësisë së derivateve të naftës.

Qëllimi është që nëpërmjet kësaj laboratorie të mbrohen konsumatorët dhe të ulet ekonomia gri. Me furnizimit e laboratorisë mobile autoritet thonë se nuk synohet që të rriten dënimet, por të rritet kualitet i shërbimeve ndaj qytetarëve. 

“Pikërisht kjo laboratori mobile për ekzaminim e cilësisë së derivateve të naftës është në drejtim të përmbushjes së vizionit tonë. Duke e pasur parasysh vëllimin e punës dhe shumëllojshmërinë e problematikave me të cilat përballet ky institucion, buroi edhe nevoja për rritjen e nivelit të kontrollit të pajisjeve matëse tek personat juridikë, si dhe kontrollet e cilësisë së derivateve të naftës”,- tha drejtoresha në Byronë për Metrologji, Merita Mustafai.

“Ne vendosëm që të furnizojmë Byronë për Metrologji me laborator mobil, i cili do të bëjë kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës, por edhe të rrisim kapacitetin e inspektoratit të tregut me të vetmin qëllim, për t’i mbrojtur konsumatorët”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Kjo laboratori do të mbulojë gjithë territorin e RMV-së si dhe nuk do të përdoren më shërbime nga laboratori të ndryshme jashtë shtetit, siç është bërë deri tani. (Gazmend Kurtishi, TVM2)