Hong Kong, protestuesit rrethojnë ndërtesën e policisë

21.06.2019 20:24

Mijëra njerëz në Hong Kong rrethuan ndërtesën e policisë....

Mijëra njerëz në Hong Kong rrethuan ndërtesën e policisë, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit për ekstradim. Policia kërkoi nga protestuesit të tërhiqen paqësisht, duke thënë se prania e tyre “do të ndikojë seriozisht” në shërbimet emergjente.

Miliona njerëz kanë protestuar kundër ligjit në javët e fundit, ndërsa ka pasur edhe dhunë midis tyre dhe policisë.

Ligji, i cili lejon ekstradimin në Kinë, është pezulluar tashmë. Kritikët thonë se ai e dëmton pavarësinë gjyqësore të Hong Kongut. Hong Kongu është pjesë e Kinës qysh në vitin 1997, nën parimin “një shtet, dy sisteme”, i cili mundëson disa liri dhe të drejta që nuk zbatohen në Kinë.

Kjo protestë vjen një ditë pasi qeveria shpërfilli një afat të caktuar nga një grup studentësh në Hong Kong, i cili kërkoi që ligji të shfuqizohet tërësisht.