Maqedoni
Rikonstruimi i Qeverisë, propozimet, të dielën në kuvend
22.06.2019 17:00
Të dielën pasdite në kuvend do të mbërrijë propozimi qeveritar për rikonstruimin....

Të dielën pasdite në kuvend do të mbërrijë propozimi qeveritar për rikonstruimin e ekzekutivit që duhet të vihet në seancë plenare në fillim të javës së ardhëshme. Ende nuk dihet se cilët janë emrat që do të ndryshohen edhe pse tashmë spekulohet se kush do të largohet, kush do të zërë vendet e tyre e cilat ministra thjesht ndryshojnë resor.
Nga qeveria nuk dëshirojnë të spekulojnë me emrat konkretë para se ato t’i bëjë të ditur vetë kryeministri Zaev. Kryeministri as në deklaratat e ditëve të fundit nuk foli për emra, tha vetëm se do ndryshohen ministrat e më pas ndryshimet do të përfshijnë edhe drejtoritë dhe komunat.
“Të dilën do të kumtojë edhe resorët edhe emrat. Nëse i tregoj resorët do të kuptoni se kush janë ministrat. Kuptohet se do të ketë këmbim ministrash dhe ministra të rinj, por pjesa më e madhe është ndërrim”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
Jozyrtarisht TVM 2 mëson se ende nuk kanë përfunduar konsultimet e ky është shkaku që ekzekutivi nuk del me emra për të lënë hapësirë për një konsultim final mes partnerëve të koalicionit.
Ndryshimet pritet të përfshijnë ministrat për bujqësi, ekologji dhe transport dhe lidhje . Ministri për ekologji Sadulla Duraku, pritet të drejtojë ministrinë e re për Sistem Politik, e në vend të tij jozyrtarsht nga BDI mësojmë se do të vijë Naser Nuredini, në vend të ministrit të dorëhequr Asaf Ademi, flitet se kulturën do ta drejtojë profesori universitar Hisni Ismaili. Por asnjë nga përfaqësuesit partiakë nuk pranon të konfirmojë zyrtarisht këto emra. Fjalën e fundit sigurisht që do ta thonë krerët e partive e cilat janë vendimet e tyre do të duhet të presim deri të dielën pasdite kur lista me emrat e ministrave të rinj, të dorëzohet edhe zyrtarisht në Kuvend.
MIGENA GORENCA
