SHËNDETËSI

Raste të reja të prekur nga “verdhëza”

05.09.2014 18:48

Në 24 orët e fundit janë paraqitur edhe 7 persona të infektuar nga “Verdhëza”....

Ata janë infektuar para rreth një jave, por ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbrëmë. Tre prej tyre janë fëmijë të moshës tre, dhjetë dhe njëmbëdhjetë vjeçare, kurse më i moshuari ka 53 vjet. Dy nga të infektuarit janë hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive. Të infektuarit janë nga komunat e ndryshme të Shkupit, ndërsa një nga të infektuarit është mjek.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov, duhet të respektohen rekomandimet e epidemiologëve.

“Po kontrollohen shkollat, çerdhet, janë ndërmarrë të gjitha masat e urdhëruara nga Komisioni për Sëmundje Infektive dhe presim se epidemia ka rënë në intensitet dhe në të ardhmen masat që i kemi ndërmarrë të japin efektin e duhur. Moshigjiena personale dhe kolektive është shkaku për përhapjen e sëmundjes infektive”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Në Shkup, janë regjistruar gjithsej 107 raste nga sëmundja e “Verdhëzës” në Klinikën për Sëmundjeve Infektive, me “Hepatit” janë hospitalizuar 20 pacientë, prej të cilëve 9 janë me “Hepatit A”, të gjithë janë në gjendje stabile dhe së shpejti pritet të lëshohen në shtëpi.

Në Shtip, ku infektimi ishte i përshkallëzuar, tani gjendja është stabile. Në 24 orët e fundit janë regjistruar vetëm 2 raste të reja. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)