Turqi, opozita fiton bindshëm në Stamboll

24.06.2019 10:49

Fitorja e opozitës në Stamboll sfidon autoritetin e presidentit...

Fitorja e opozitës në Stamboll sfidon autoritetin e presidentit, Rexhep Tajip Erdogan, që u detyrua të pranojë humbjen në zgjedhjet e përsëritura për kryetar bashkie në qytetin më të madh të Turqisë, në atë që u pa gjerësisht si një test i rëndësishëm i demokracisë turke. Imamoglu, nga Partia Popullore Republikane, CHP, mori 54 për qind të votave totale dhe e përfundoi garën me rreth 800,000 vota më shumë sesa rivali i tij.
 
Ish-kryeministri Binali Yildirim, kandidati i përbashkët i koalicionit qeverisës të presidentit Erdogan, mori 45 për qind të votave, më pak se në raundin e parë të votimit më 31 mars. Rezultatet e zgjedhjeve vendore të 31 marsit në qytetin më të madh të Turqisë dhe qendrën ekonomike të saj u anuluan pasi koalicioni i Erdoganit u ankua për parregullsi pas disfatës. Imamoglu mori 13,000 vota më shumë se rivali i tij i mbështetur nga Erdogani.
 
Më shumë se 10.5 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin të dielën. Mediat perëndimore e kanë cilësuar fitoren e opozitës në Stamboll, si “Fillimi i fundit të Erdoganit”, një disfatë në atë që konsiderohet si kështjella politike e Rexhep Taip Erdoganit, qytetit ku ka nisur karrierën politike si kryebashkiak në vitin 1994 dhe ku kandidatët e mbështetur prej tij kanë qeverisur për 25 vite me radhë.