Dimitrov: BE të na e njohë progresin, ndryshe s’ka perspektivë
Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov....

Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, gjatë fjalimit të tij në konferencën ministrore për Ballkanin Perëndimor në Stokholm, tha qartë se nuk ka proces nëse vendi e përmbush atë që i kërkohet, por BE nuk ia njeh progresin dhe nuk jep leje për vazhdimin e udhëtimit.
Europa, sipas tij, është shumë e zënë me vetveten, po kalon nga kriza në krizë, madje ka edhe krizë vetëbesimi. Ka shumë keqkuptime për rajonin tonë dhe nuk është shumë në modë të flasësh për ne, e kjo duhet ndryshuar.
Kur një shtet përmbush detyrimet, edhe Europa duhet ta kthejë në të njëjtën mënyrë, thotë Dimitrov, duke potencuar se Maqedonia e Veriut nuk ka tjetër alternativë përveç anëtarësimit në BE.
“Nëse Europa dështon të njohë progresin që ne kemi arritur, vetëm për të nisur rrugëtimin drejt saj, sepse rekomandimi i parë na erdhi në 2009, e gjenerata e lindur në kohën kur Maqedonia nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asociimit, këtë vit mbushin 18 vjeç. Në 2009 këshilli tha jo, është herët, në 2010 na thanë është herët, gjithashtu edhe vitet tjera. Vjet na thanë në qershor, qershori kaloi. Nëse në tetor nuk ka vendim, nëse sërish e shtyjnë vendimin, duhet ta pranojmë se nuk ka perspektivë evropiane. Fatkeqësisht nuk kemi alternativë tjetër. Mundësitë për sukses në tetor janë optimiste dhe nuk e kemi luksin ta lëshojmë këtë mundësi”,- u shpreh ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
