Çeki, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Babis

24.06.2019 13:15

Nisi si një iniciativë studentore nga një grup të rinjësh...

Nisi si një iniciativë studentore nga një grup të rinjësh që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Andrej Babis, por dje në Pragë të Republikës Çeke protesta mori një tjetër dimension, ku sipas organizatorëve më shumë se 250 mijë njerëz iu bashkuan thirrjes për largimin e kreut të Qeverisë.

Mbi 400 mijë janë nënshkrimet në një peticion ‘online’.

I kosideruar si njeriu i dytë më i pasur në Çeki, Babis po hetohet penalisht për shkak të akuzës se ka abuzuar me rreth 2 milionë euro subvencione nga Bashkimi Evropian, 10 vite më parë.

Babis i ka mohuar akuzat. Protesta e së dielës konsiderohet si më e madhja që pas rënies së komunizmit në Çeki, më shumë se 30 vite më parë.

Edhe pse presioni është rritur, kryeministri Babis refuzon të japë dorëheqjen.

Të mërkurën, Qeveria e tij do të përballet në Parlament me një mocion mosbesimi.