Ademi: Ligjet e reja, për ngritjen e cilësisë në arsim

24.06.2019 16:20

Ligjet e reja pritet ta përmirësojnë cilësinë e arsimit fillor si dhe statusin e punëtorëve të arsimit...

Ligjet e reja pritet ta përmirësojnë cilësinë e arsimit fillor si dhe statusin e punëtorëve të arsimit, deklaroi  ministri i arsimit, Arbër Ademi, në debatin publik në Kumanovë, lidhur me Propozim-ligjin për arsimin fillor, si dhe Propozim-ligjin për arsimtarë dhe bashkëpunëtorë profesionalë në shkollat fillore dhe të mesme.

“Parashihen zgjidhje për orientim profesional të fëmijëve që nga arsimi fillor se në cilën shkollë të mesme duhet të vijojnë mësimet, parashihen edhe risi nga aspekti i të ushqyerit, se çfarë ushqimi do të konsumojnë ata, nga aspekti i departizimit dhe depolitizimit të arsimit fillor dhe të mesëm, ku kryetari i komunës do të ketë për detyrë që ta zgjedhë atë kandidat për drejtor i cili ka marrë shumicën e votave në këshillin e shkollës, pra drejtorin do ta zgjedhin vetë mësimdhënësit, prindërit e fëmijëve të regjistruar në atë shkollë”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Arbër Ademi, për TVM2, tha se me draft-ligjin e arsimit fillor dhe draft-ligjin e mësimdhënësve dhe punëtorëve profesionalë në shkollat fillore dhe të mesme parashihen avancime të mësimdhënësve.

“Parashohim kështu edhe ecje në shkallë të caktuara në avancim, në shkallë të caktuara në bazë të rezultateve dhe arritjeve, dhe mendojmë se me këtë do t’i motivojmë mësimdhënësit dhe do ta përmirësojmë dukshëm kualitetin e arsimit fillor dhe të mesëm në RMV”,- theksoi ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Në debat morën pjesë përfaqësues të arsimit nga Kumanova, Likova dhe Nagoriçi i Vjetër, të cilët nuk pranuan të prononcohet publikisht rreth vërejtjeve eventuale për këtë ligj. (Fatlum Aqifi, TVM2)