Dialogu Kosovë – Serbi, Thaçi: Pa marrëveshje, Ballkani rrezikon destabilizimin
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë që pas vendimit të Prishtinës zyrtare....

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë që pas vendimit të Prishtinës zyrtare për vendosjen e taksës prej 100% për prodhimet serbe në nëntor të vitit të kaluar.
U anulua edhe takimi i planifikuar të mbahet më 1 korrik në Paris e nuk dihet nëse ai do të mbahet në ndonjë datë të mëvonshme, edhe pse normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë prerë se nëse gjatë këtij viti nuk arrihet marrëveshja finale, rrezikohet destabilizimi i të gjithë rajonit.
“Përmbyllja e dialogut me Serbinë në kuadër të marrëveshjes finale është interes nacional i Kosovës. Ne duam që njëherë e gjithmonë t’i qartësojmë raportet tona me Serbinë dhe kjo mund të arrihet me një dialog që ka afat kohor dhe kërkesa të qarta. Nuk kam kurrfarë dilema që marrëveshja do të mund do të arrihet këtë vit, por në të kundërtën mund të ketë destabilizim në rajonin e Ballkanit”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
IDEJA PËR NDRYSHIMIN E KUFIJVE, THAÇI: PO DËSHTOJMË PËR TË BASHKUAR TROJET
Në konferencën “Zëri i popullit rreth finales së madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, organizuar nga RIDEA, Thaçi ritheksoi se opsioni i ndryshimit të kufirit ka siguruar përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës, por nuk po arrin të marrë mbështetjen e politikanëve.
“Është për keqardhje që klasa politike kosovare po dështon që të bashkohet për të bërë realitet idealin e bashkatdhetarëve tonë të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që t’i bashkëngjiten Kosovës. Askush prej nesh nuk ka të drejtë të mbajë pezull shtetin e Kosovës dhe mos t’i japë epilogun e duhur dialogut mes dy vendeve”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se zgjidhja e kompromisit për çështjen e Kosovës nuk mund të nënkuptojë që Serbia të pranojë Pavarësinë e Kosovës në tërë territorin e saj. Për vazhdimin e dialogut, pala serbe këmbëngul në heqjen e taksës. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
