Maqedoni

Rasti "Monstra", mungojnë dëshmitarët, anulohet seanca. Familjarët e viktimave: Ka politikanë të përfshirë, prandaj zvarritet

24.06.2019 17:20

Seanca gjyqësore për rastin “Monstra” u anulua për shkak të mungesës së dy dëshmitarëve të mbrojtjes

Seanca gjyqësore për rastin “Monstra” u anulua për shkak të mungesës së dy dëshmitarëve të mbrojtjes, Dragan Ivanovski dhe Dime Veskov, për të cilët u kërkua të sillen me urdhër policor. Për mungesën e dy dëshmitarëve dhe shkaqet e mossjelljes në gjykatë, shërbimet policore nuk e kanë informuar trupin gjykues.
 
Gjykatësi, Osman Shabani, kërkoi informacione përmes telefonit në stacionet policore Butel dhe Gazi Babë, e u informua se dëshmitari, Dragi Ivanovski, nuk ka qenë në adresën e dhënë dhe ajo shtëpi tashmë është shitur. Dëshmitari, Dragan Ivanovski, duhej të dëshmonte për  vendndodhjen e Fejzi Azirit më 12 prill 2012, ndërsa dëshmia e Dime Veskov bazohet në veturën e dyshuar Opel Omega. Ai në gjykimin e parë tha se kjo veturë është e njësitit policor Alfa, pasi që siç ka deklaruar atëherë, vetë ai është arrestuar më parë po me këtë veturë.
 
Mosprezenca e dëshmitarëve me këtë dhe anulimi i seancës rezultoi me revoltë tek familjarët e viktimave. Prindi i njërit prej viktimave, Aleksandar Nakevski, dyshon se rasti po zvarritet meqë në të, sipas tij, janë të përfshirë funksionarë të lartë partiakë. Kërkojnë të deklasifikohen  pesë numrat telefonikë, të cilët janë dëgjuar me masa të veçanta hetuese, e janë klasifikuar si dëshmi shtetërore. Njëkohësisht kërkojnë të caktohen seanca më të shpeshta gjyqësore dhe rasti më në fund të zbardhet. 
 
Për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit të Smillkovcës akuzohen 6 persona, prej të cilëve 3 mbrohen në liri që nga vendimi i Supremes që të ketë rigjykim në këtë rast, dy të tjerë janë në arrati dhe ndaj tyre ka procedurë ekstradimi. 
 
Seanca e radhës për rastin “Monstra” do të vazhdojë më 1 korrik.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI