Maqedoni
Protesta në Tetovë, Ahmeti: Përgjegjësi nga qeveritarët dhe hetime ndërkombëtare
24.06.2019 17:50
Është mbajtur në Tetovë protesta e iniciuar përmes rrjeteve sociale.....

Është mbajtur në Tetovë protesta e iniciuar përmes rrjeteve sociale pas publikimit të bisedave të përgjuara të zyrtarëve të lartë të BDI-së në profilin “El Cheka”. Organizatori i protestës, Blerim Ahmeti, vëllai i Sheqerim Ahmetit që po i publikon bisedat e përgjuara, theksoi se qytetarët kërkojnë përgjegjësi nga qeveritarët si dhe hetim ndërkombëtar për proceset gjyqësore. Protestën e përkrahu edhe Shoqata “Atdheu”.
“Mosbesimi ynë ndaj institucioneve na detyroi që të marrim këtë hap, duke protestuar dhe kërkuar hetim ndërkombëtar për këto institucione. Po ashtu të japin përgjegjësi dhe krerët e BDI-së dhe LSDM-së që veprojnë kundër ligjit, duke ua mohuar çdo të drejtë shqiptarëve. Zëri ynë i bashkuar do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet derisa drejtësia të shkojë në vend”,- deklaroi organizatori i protestës, Blerim Ahmedi.
“U bëj thirrje gjithë shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë që të bëjnë një analizë të qartë, të kthjellët dhe me një mendim perëndimor të shohin se si sillen partitë që pretendojnë se përfaqësojnë shqiptarët dhe ato parti që nuk mbrojnë interesat e kombit tonë, të mos votohen”,- tha Engjëll Gishti nga Shoqata “Atdheu”.
Policia i ndaloi të protestojnë para selisë së BDI-së, pasi organizatorët morën leje vetëm për protestën para UT-së. Numrin e vogël të protestuesve, organizatorët e arsyetuan me, siç thanë, presionet e shumta që sipas tyre iu janë bërë qytetarëve për t’i penguar t’i bashkëngjiten protestës.
VISAR SADIKI
