Maqedoni
Rekonstruimi i Qeverisë, Mehmeti: Për të kënaqur opinionin, jo sipas meritës
24.06.2019 17:59
Ndryshimet në kabinetin qeveritar pritet të sjellin zbatim më cilësor të programit qeveritar dhe ide të reja....

Ndryshimet në kabinetin qeveritar pritet të sjellin zbatim më cilësor të programit qeveritar dhe ide të reja, edhe pse këto ndryshime kanë ndodhur më shumë për të kënaqur opinion sesa për shkak të evaluimit të punës së ministrave që po shkarkohen, konsideron analisti politik, Ibrahim Mehmeti, për TVM2. Sipas tij, rekonstruimi i qeverisë erdhi si pasojë e rezultatit të pakënaqshëm në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, rezultat që u lexua si refleksion i pakënaqësive të qytetarëve në disa sfera.
“Këto ndryshime janë për ta kënaqur një pjesë të opinionit dhe se nuk është rezultat i një përfundimi se këto resore apo këto ministra nuk e kanë kryer punën ashtu si duhet dhe kjo mund të shihet edhe nga vetë faktin se disa ministra prej një pozicioni shkojnë në një pozicion tjetër. Unë nuk kam ndonjë iluzion se diçka mund të ndryshojë brenda natës”,- tha analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Përveç ndryshimeve kadrovike, në kabinetin qeveritar, Ibrahimi konsideron se Zaev duhet të rishqyrtojë edhe programin qeveritar dhe pas mbylljes së kontesteve dypalëshe me fqinjët dhe hapjen e perspektivës europiane, të angazhohet në zbatimin e programeve që japin rezultate të prekshme në mirëqenien e qytetarëve.
“Tani kuptohet, mbetet të shohim se sa këto ndryshime do të japin rezultat në atë që e premtoi edhe kryeministri, se pas sukseseve në politikën ndërkombëtare tani vjen në radhë përmirësimi i standardit jetësor dhe i efekteve ekonomike dhe kjo mbetet të shihet tani”,- theksoi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Shuarjen e Sekretariatit për zbatimin e MO-së dhe themelimin e një dikasteri të ri, përkatësisht Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Bashkësitë, Ibrahimi e sheh si një ndryshim të rëndësishëm që flet për një nivel të ri të trajtimit të raporteve ndëretnike dhe të rregullimit të shtetit.
SHPËTIM NUREDINI
