Maqedoni

Siarto: Mosdhënia e datës, vendim i padrejtë. Osmani: Hungaria, aleat i fuqishëm brenda BE-së

24.06.2019 18:14

Mosmarrja e datës për fillimin e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, është e padrejtë dhe në kundërshtim me politikat e BE-së....

Kështu vlerësoi ministri i jashtëm hungarez, Petar Sijarto, gjatë vizitës së tij në Shkup. Hungaria përkrah politikën e zgjerimit të BE-së, pasi kjo siguron stabilitet në Ballkanin Perëndimor, tha ai. Osmani çmoi mbështetjen që i jep Hungaria Maqedonisë së Veriut në çdo aspekt. Të martën parlamenti  Hungarez ratifikon protokollin për anëtarësim të RMV-së në NATO.  
 
“Unë vlerësoj se është shumë e padrejtë dhe jofer dhe vetëm po harxhohet koha kur bëhet fjalë për sjelljen e këtij vendimi. Franca në njëfarë mënyre angazhohej për anulim të bisedimeve, Bundestagu gjithashtu  nuk ishte i bindur që të merrte atë vendim. Kjo është shumë e padrejtë ndaj shtetit tuaj. Ne kërkojmë urgjentisht fillim të bisedimeve qasëse përmes RMV-së dhe BE-së. Ne jemi edhe vend fqinj dhe jemi të ndjeshëm ndaj kësaj teme, pasi e dimë se sa është e rëndësishme të integrohet në BE ky rajon”,- tha ministri i jashtëm i Hungarisë, Petar Sijarto.
 
“Hungaria së bashku me grupin e vendeve V4, zëshëm mbështet procesin tonë të integrimit në BE dhe vendimin për fillim të bisedimeve tani, që është e rëndësishme për vendin dhe për rajonin, pasi do të vërtetohet besimi që e kemi në institucionet evropiane. Përveç mbështetjes deklarative, Hungaria gjithashtu na jep mbështetje në momente kritike, siç ishte në kohën e vërshimeve, por edhe gjatë krizës së migrantëve”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
Por, krahas mbështetjes që Hungaria i jep qeverisë për procesin euro-integrues, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për kërkesën për eskradim të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski. Sijarto dhe Osmani thanë se vetëm çështja e Gruevskit është juridike dhe nuk do të ndikojë në marrëdhëniet bilaterale. 
 
“Prania e tij në Hungari për ne është çështje juridike, nuk ka ndikim aspak në politikën tonë të jashtme. Në sistemin tonë juridik, qeveria nuk ka në dorë asgjë me ato kërkesa, ashtu që ajo do të jetë vendim i gjyqit, që është plotësisht e pavarur nga qeveria”,- theksoi ministri i jashtëm i Hungarisë, Petar Sijarto.
 
“Që nga dita e parë nuk kemi lejuar që kjo çështje t’i rëndojë marrëdhëniet e mira politike mes nesh dhe R. së Hungarisë, si një nga mbështetësit më të mëdhenj në rrugëtimin tonë euroatlantik”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
Sijarto gjithashtu ishte i rezervuar për të treguar se çfarë informata i ka dhënë ish-kryeministri Gruevski qeverisë hungareze. 
 
ERSAN PAJAZITI