Maqedoni
Rikonstruimi i Qeverisë, kuvendi voton të mërkurën, dorëhiqet Atanasov
24.06.2019 18:27
Rikonstruimi i qeverisë pritet të marrë dritë jeshile nga Kuvendi të mërkurën për kur edhe kryparlamentari, Talat Xhaferi....

Rikonstruimi i qeverisë pritet të marrë dritë jeshile nga Kuvendi të mërkurën për kur edhe kryparlamentari, Talat Xhaferi, ka caktuar seancën mbi propozimet e kryeministrit, Zoran Zaev, për ministrat e rinj.
Përveç kryeministrit Zaev, i cili pritet të udhëheqë Ministrinë e Financave, ministrat e rinj do të jenë Naser Nuredini, i cili do të udhëheqë me digasterin e Ekologjisë, Hisni Ismaili me Kulturën, Trajan Dimkovski me Bujqësinë, Goran Milevski me Vetëqeverisjen lokale. Ndërsa me Ministrinë për Sistem Politik pritet të kryesojë ministri aktual i Ekologjisë, Sadulla Duraku, për të cilin zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se ka përvojë dhe së bashku me kuadrin e ri që ofron kjo parti, do të shënojnë rezultate.
“Nga pesë ministrat e BDI-së në përbërjen e re, katër prej tyre janë nën 40 vjeç të arsimuar në shtetet evropiane. Sadulla Duraku është politikan me përvojë i cili është bartës i memorjes institucionale dhe politike të BDI-së, roli i të cilit është që ta transformojë Sekretariatin për MO-në në ministri për sistem politik dhe duke pasur parasysh se ai është një nga pjesëmarrësit në përgatitjen e MO-së, nuk ka njeri që e njeh më mirë frymën e MO-së”,- theksoi Bujar Osmani nga BDI.
Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk presin se do të ndodhë diçka e mirë nga rikonstruimi i qeverisë.
“Ne gjatë kohë më herët kemi thënë se kjo qeveri është e paaftë, se nuk funksionon, se kjo qeveri nga koka, duke filluar nga Zoran Zaevi, i cili është kryeministri më i paaftë në historinë e Maqedonisë, nuk mund të funksionojë më poshtë me institucionet, pasi që ata punojnë vetëm për interesa personale dhe përfitimin e tyre, biznesit dhe familjeve të tyre në vend të përfitimit nga ana e qytetarëve. Një ditë ata duhet të japin llogari kur do të ndërrohet prokurori publik të cilën ne e kërkojmë”,- u shpreh Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Në prag të rikonstruimit të qeverisë, nga posti i tij ka deponuar dorëheqje zv/ministri i Arsimit, Petar Atanasov. Ai ka njoftuar për këtë vendim edhe kryeministrin Zaev përmes një letre që e bëri publike edhe në rrjetin social Facebook.
“Dua t’ju informoj ju dhe opinionin, se po jap dorëheqje nga pozita zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Këtë ua bëra të ditur që para rekonstruksionit, por ja tani dhe mund të procesuohet. Thjesht, pozita ime bëhet joefektive. Njëkohësisht jap dorëheqje nga të gjitha funksionet e tjera në suaza të Ministrisë së Arsimit dhe në Qeveri!”,-shkruan mes tjerash në njoftimin e tij Atanasov, i cili ka vendosur që pas karrierës t’i përkushtohet karrierës akademike.
Nga LSDM dorëheqjen e zëvendësministrit të Arsimit e cilësojnë si tregues se funksionarët aktualë kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Siç njoftuam pas rekonstruimit, deri në fund të këtij muaji, procesi i filluar për ndryshime duhet të vazhdojë me ndryshime në pozitat tjera udhëheqëse si vendet e zëvendësve dhe drejtorëve. Të gjithë bartësit e zgjedhur dhe emëruar në pozitat publike, mbajnë përgjegjësi para qytetarëve për punën e tyre”,- thonë nga LSDM.
Ndërkohë, nga VMRO i ftojnë edhe funksionarët tjerë të pushtetit të kenë guxim dhe të veprojnë njëjtë.
NAIM RAMADANI
