Botë

Vazhdon kaosi politik në Shqipëri, Kolegji Zgjedhor nuk e njeh dekretin e Metës

24.06.2019 18:41

Kolegji Zgjedhor ka konfirmuar datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë....

Trupa e gjyqtarëve rrëzoi kërkesën e partisë Uniteti Kombëtar për ta çregjistruar nga zgjedhjet,  duke lënë në fuqi veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, trupa gjyqësore konfirmoi se KQZ duhet të vijojë punën drejt 30 qershorit, ndryshe nga sa pretendon opozita dhe Presidenca. Kryetari i kësaj partie e pranoi vendimin duke thënë se të dielën do të kërkojë vota për kandidatët e tij.
 
“Kolegji Zgjedhor duhet ta zgjidhë këtë ngërç, KQZ nuk na ç’regjistroi, si shkak sjellim edhe botimin në Fletoren Zyrtare (të dekretit të presidentit). Ndaj kërkoj që këtë ngërç ta zgjidhni ju”, u shpreh Idajet Beqiri, kreu i PUK.
 
Por, ky vendim nuk i ka pëlqyer presidentit, i cili ka paralajmëruar ditën e nesërme një konferencë për shtyp për situatën që është krijuar në Shqipëri. 
 
Dakord nuk ka qenë as opozita. Pas mbledhjes së aleatëve në selinë blu, njëri prej tyre, Dashamir Shehi, ka thënë se protestat nuk do të ndalen.
 
“Këto janë zgjedhje që ne nuk i njohim, janë zgjedhjet e Edi Ramës, ne do të ndjekim dekretin e presidentit Meta. Ne do të shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me këtë juntë që është e vendosur, ne nuk do ti njohim zgjedhjet, në 30 Qershor s’mund të ketë votime. Do të ketë demonstrata, çdo gjë do të jetë sipas ligjeve, rezistenca jonë do të jetë edhe më e madhe”, u shpreh Dashamir Shehi.
 
Opozita ka nisur përgatitjet edhe për të refuzuar publikimin e listave të zgjedhësve dhe hapjen e qendrave të votimit në bashkitë që drejtohen prej tyre.