Maqedoni

Gjykata Supreme ende shqyrton ankesat, nuk dihet kur Jankullovska do të paraqitet në burg

24.06.2019 18:58

Ish ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, duket se nuk do të paraqitet në burg më 2 korrik për kryerjen e dënimit 4 vjeçar për rastin “Tanku”....

Gjykata Supreme ende pret vendimin për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit parësor.
 
“Procedura për lëndën në fjalë është në vijim e sipër para Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut. Për shkak të interesit të opinion, gjykata me kohë do t’i kumtojë vendimet e miratuara, ashtu siç ka bërë te shumë lëndë. Në këto momente nuk mund të dihet se kur do të sillet vendim për këtë lëndë, pasi që procedura është e jashtëzakonshme dhe për të njëjtën nuk do të mbahet seancë publike”,- thonë nga Gjykata Supreme.
 
Ish ministrja Jankullovska u dënua me 6 vjet burg për rastin “Tanku”, vendim ky që nga Gjykata e Apelit u zvogëlua në 4 vjet. Për të njëjtin rast ishte i akuzuar edhe ish kryeministri Gruevski që tashmë gjendet në Hungari, ku ka fituar të drejtën e azilit. Edhe ai shfrytëzoi të njëjtën mundësi ligjore dhe u arratis në Budapest pikërisht gjatë kohës kur pritej që Gjykata e Apelit ta dërgojë vendimin në Gjykatën Supreme.