Kolegji la në fuqi 30 qershorin, Meta: Truk procedurial, dekreti mbetet në fuqi
Kolegji la në fuqi 30 qershorin, Meta: Truk procedurial, dekreti mbetet në fuqi...

Presidenti shqiptar Ilir Meta ashtu siç ishte paralajmëruar, mbajti pres konferencë sot në mëngjes pasi Kolegji zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar, duke lënë ne fuqi 30 qershorin si datë për zgjedhjet.
Vendimin Meta e quajti truk procedurial të marrë në presion e shantazh.
“Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë një gjë të tillë pasi këtë tagër nuk ja njeh Kushtetuta, qoftë për dekretin si për anulimin e zgjedhjeve.Vendimi i djeshëm ka efekt për palët në proces. Vendimi i djeshëm justifikon paligjshmërinë e organizatës socialiste në komision, për të anatemuar vendimin e kreut të shtetit, ky vendim i orkestruar është marrë në kushtet e presionit politik të mazhorancës. Vendimi i djeshëm është një truk procedural, përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik.Jemi në një situatë paradoksale. Dekreti i presidentit për zgjedhjet është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën, për pasojë vetëm gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë atë.Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga paligjshmëria, E vetmja rrugë për zgjidhen e krizës është dialogu politik”, tha Meta.
Ndër të tjera presidenti Ilir Meta deklaroi se ai ndaloi zgjedhjet moniste.
“Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake, por pa dyshim besoj se lidhur me datën 30 qershor si zgjedhje kjo datë ka rënë, nuk ekziston më ligjërisht. Kush dëshiron të bëjë zgjedhje partiake unë nuk ndërhyj. Kjo të jetë e qartë brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi ai.
Meta u pyet nëse po e sheh mundësinë e dhënies së dorëheqjes. Ai ka thënë prerë se jo, madje ka deklaruar se do të jetë në këtë detyrë deri në 24 korrik të 2022.
“Ky institucion nuk i përket Metës, por Republikës, dhe ku institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi nga ky do të fillojë ringritja e Republikës, dhe nuk do të bëhet vendi koloni e asnjë fondacioni ndërkombëtar, është vend që i takon gjithë shqiptarëve, ndaj këtu do të kemi deri në 24 korrik të vitit 2022”- u shpreh Meta.
