Maqedoni
Ka ende vende të lira në sh. m. profesionale, konvikte falas për nxënësit nga zonat rurale
25.06.2019 15:47
Afati i dytë i regjistrimit në shkolla të mesme u përmbyll....

Për dallim prej viteve të kaluara, drejtuesit e shkollave të mesme profesionale theksuan se këtë vit është shtuar interesimi i nxënësve për profilet që ofrohen. Ekipi i TVM2 qëndroi në Sh. M. “8 shtatori” dhe “Boro Petrushevski” ku ka vende të lira.
Beneficionet e përzgjedhjes së arsimit profesional janë të mëdha, thonë përgjegjësit e shkollave të mesme profesionale të cilët ftojnë semimaturantët të regjistrohen edhe në afatin e tretë, sepse ka vende të lira dhe drejtime atraktive.
Në Sh. M. “8 shtatori” ka edhe 100 vende të lira në drejtimet teknike të makinerisë, mektaronikës, saldues, montues i ujësjellësit dhe profile tjera deficitare. Ndërkohë, në Sh. M. “Boro Petrushevski” ka edhe 55 vende të lira në drejtimin e komunikacionit.
“Punësimi pas mbarimit të shkollimit të mesëm është i menjëhershëm, sepse është kuadër deficitar dhe një përparësi të madhe e kemi se ka vend edhe për nxënësit në vendet rurale, sepse kemi në afërsi konviktit “Tome Stefanovski Seniç”, ku nxënësit e kanë pa pagesë fjetjen dhe ushqimin”,- tha Vullent Iseni nga Sh. M. “8 shtatori”.
“Shihen rezultatet që ka një lëvizje pozitive, por shpresojmë se në të ardhmen do të ketë interesim edhe më të madh, sepse me mbarimin e shkollimit profesional ka mundësi për të gjetur vendin e punës, se janë drejtime deficitare, andaj shpresoj se do vetëdijesohet popullata, se nxënësit do mund të punësohen, që është shumë me rëndësi për zhvillimin e jetës së tyre”,- tha profesori ShMA “Boro Petrushevski”, Kastriot Kasapi.
Arsimi profesional, nxënësit: E zgjodhëm për të gjetur punë më lehtë
Dhe nxënësit e kanë kuptuar se në tregun e punës ka vend vetëm për profesionistët, prandaj kanë zgjedhur shkollat profesionale.
“Mund të punësohem më lehtë dhe më pëlqen drejtimi, kam zgjedhur drejtimin teknik komunikacioni”,- theksoi një nxënës.
“Kam zgjedhur drejtimin trafik dhe shpedicion. E pëlqej sepse në të ardhmen kam dëshirë të bëhem një police dhe shpresoj se mund të arrij diçka”,- tha një nxënëse.
Në këtë afat është ulur numri i pikëve për pranim, me ç’rast maksimumi i pikëve është 50, ndërsa minimumi 30 për nxënësit që zgjedhin arsimin 3-vjeçar. Afati i tretë i regjistrimit është më 1 korrik.
FLUTURA LATIFI
