Maqedoni
Policia Financiare aksion në Luboten, kërkohen prodhuesit e duhanit ilegal
25.06.2019 16:19
Lubotenasit, mëngjesin e së martës u zgjuan nga hyrja e befasishme e policisë financiare....

Lubotenasit, mëngjesin e së martës u zgjuan nga hyrja e befasishme e policisë financiare në shtëpitë e tyre. Fshati ishte tërësisht i bllokuar edhe nga forcat policore që me një numër të madh forcash speciale e autoblindash asistonin policinë financiare në aksionin për konfiskimin e duhanit ilegal dhe makinerive për prodhimin e tij.
Mendohet se aksioni është duke u realizuar për shkak të një lloji të duhanit i cili është i paligjshëm për t’u kultivuar në vend.
Banorët: Na erdhën në gjumë, punojmë për ekzistencë
Banorët e revoltuar thonë se kjo nuk është hera e parë që forcat policore tentojnë t’ua konfiskojnë duhanin. Thonë se policia nuk është dashur të veprojë në këtë mënyrë. Kërkojnë që t’u kthehet sërish sasia e duhanit të konfiskuar, pasi u rrezikohet ekzistenca. Madje, thonë se vetë kryeministri dhe ministri i bujqësisë u kanë lejuar ta kultivojnë këtë lloj duhani.
“Në orën 5 të mëngjesit kanë hyrë brenda në shtëpinë time, nuk kanë thirr hiç, por kanë hyrë me forcë dhe zhurmë të madhe. Unë fjeta tek kjo dhoma këtu dhe kur e hapa dritaren pash plot polici këtu dhe nga ana tjetër e shtëpisë. M’i konfiskuan telefonat celular. Duhanin që e punojmë gjithë verës tani e marrin, të mos punojmë? Kërkojnë një far duhani, ku e di se çfarë do t’i bëjnë”,- u shpreh një banor i Lubotenit.
“Në qoftë se ky dhe disa shtëpi tjera i kanë makineritë e prodhimit të duhanit, nuk do të thotë se veç ky punon me duhan, por gjithë fshati varet nga duhani. Në tendere dhe biznese tjera nuk kemi, por vetëm këtë punë. Njërit ia kanë marrë duhanin e gjelbër nga ara”,- tha një banor i Lubotenit.
“Policia nëpër shtëpi, thuhet se, siç na thonë, se kanë urdhër për konfiskimin e duhanit. Me tërë këto forca policore të vihet dhe të kërkohet duhan, mendoj se nuk është në rregull, ndoshta ka diçka prapavijë nga kjo. Ata thonë se gjithçka do të konfiskohet që shihet duhan në ato shtëpi, i kanë të locuara dhe më pastaj do të formohet komision i cili do të vërtetojë nëse a është ose jo ai duhani të cilin e kërkojnë ata apo është ai legal që lejohet në treg”,- tha kryetari i Bashkësisë Lokale – Luboten, Rexhep Imeri.
Komuna në mbrojtje të banorëve: Nuk është ilegal, nuk kishte nevojë për kaq policë
Në mbrojtje të banorëve dolën edhe nga komuna e Butelit, që janë të bindur se nuk bëhet fjalë për duhan të jashtëligjshëm, por duhan prej të cilit banorët sigurojnë ekzistencën. Thonë se nuk kishte nevojë për kaq shumë polici.
“Unë jam i sigurt se nuk bëhet fjalë për duhan ilegal, por për duhan të kultivuar gjatë tërë vitit nga banorët e kësaj zone dhe për këtë janë informuar të gjitha institucionet e vendit”,- deklaroi kryetari i komunës së Butelit, Velimir Smilevski.
“Disa herë për fat të keq bëhen tentime dhe ka ndërhyrje policore për të marrë duhanin e banorëve. Për fat të keq kjo nuk është punë e keqe për njerëzit që mbijetojnë. Nuk ka nevojë më të vijnë me autoblinda këtu, sepse ne jemi qytetarë të civilizuar dhe dimë se çfarë është e mira e çfarë e keqja”,- theksoi zëvendëskryetari i komunës së Butelit, Naim Saliu.
Policia Financiare: Kishim dyshim të bazuar për kontrabandë
Policia Financiare konfirmon aksionin policor dhe thotë se i njëjti u bë për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale, kontrabandë me mallra me akcizë dhe mashtrim doganor, në koordinim me Drejtorinë e Policisë Financiare dhe MPB-në.
REXHEP QAMILI
