Maqedoni

Çair, pak korsi për biçikleta, Ganiu: Në plan edhe 3 km të tjera korsi për biçikleta

25.06.2019 16:41

Përdorimi i biçikletave është i domosdoshëm jo vetëm për shëndetin....

Përdorimi i biçikletave është i domosdoshëm jo vetëm për shëndetin, por edhe për të ndikuar në uljen e ndotjes dhe zvogëlimin e kaosit në trafik. Por, në komunën e Çairit ekzistojnë vetëm 2 km korsi për biçikleta, të pamjaftueshme marrë parasysh numrin e banorëve në lagjen më të populluar të Maqedonisë së Veriut. Mungesa e rrugëve për biçikleta doli në pah edhe në shëtitjen e kreut të Çairit, Visar Ganiu, dhe ambasadorit të Holandës, Vauter Plomp, që donin të jepnin mesazhin për përdorimin më masiv të biçikletës si mjet transporti.
 
Në mungesë të korsive për biçikleta ata u detyruan në disa vende të ngasin biçikletën në rrugën kryesore të shoqëruar me vetura të policisë, duke bllokuar në fakt trafikun. Ambasadori Plomp thotë se faji është edhe te qytetaret që zënë me makina trotuaret ku mund të kalojnë biçikletat. Kryetari i komunës së Çairit premton  edhe 3 km korsi për biçikletat.
 
“Veturat janë të parkuara gabimisht në trotuare. Ashtu siç janë me rëndësi korsitë e biçikletave, ashtu duhet të jetë i rëndësishëm edhe disiplina e vozitësve. Ju kisha apeluar të gjithë qytetarëve t’i parkojnë veturat si duhet dhe kështu do të ketë hapësirë edhe për këmbësorët dhe për biçiklistët”,- tha ambasadori i Holandës, Vauter Plomp.
 
“Këtë vit kemi planifikuar edhe 3 km të tjera korsi, shërbimet po realizojnë projektet dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të realizojmë edhe ato 3 km. Numri i banorëve është shumë i madh, territori është i vogël dhe qytetarët jo që nuk i përkrahin korsitë për biçikleta, por kërkojnë zgjidhje se ku të parkojnë makinat e tyre”,- deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
I pyetur se si ka ndikuar ndërtimi i korsive për biçikleta që në disa rrugë kanë ngushtuar hapësirën për automjetet, Ganiu thotë se një vendim i tillë në fakt ka ulur numrin e aksidenteve, pasi ngushtoi edhe mundësinë për vozitësit e pakujdesshëm që të shtojnë shpejtësinë, duke u kthyer në shkaktarë aksidentesh.
 
“Ajo rrugë është bërë me projekt të urbanizmit nga njerëz profesionistë dhe ka ndihmuar që të ulet edhe shpejtësia për vozitësit e pandërgjegjshëm, sepse jemi dëshmitarë të aksidenteve të shumta në komunikacion. Në rrugë të tjera ku janë trotuaret më të gjera, atje shikojmë mundësinë të vëmë korsitë e biçikletave”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Komuna e Çairit është në koordinim me Qytetin e Shkupit dhe komunat fqinje, për të gjetur mundësinë e projekteve të përbashkëta që do të lidhnin të gjitha rrugët me korsi edhe për biçikleta. Gjithashtu planifikon ndërtimin e 4-5 parkingjeve me partneritet publiko-privat për të cilat po bëhet studimi i fizibilitetit. Parkimet e reja do të krijonin mundësinë e lirimit të rrugëve e trotuareve nga ata që parkohen në mënyrë të parregullt. 
 
REJHANE BUSHI METAJ